Itali, masa të reja kundër pandemisë COVID-19
BKT
   Bota

Itali, masa të reja kundër pandemisë COVID-19

Masat e fundit të qeverisë italiane erdhën derisa numri i rasteve të reja të koronavirusit arriti nivele të larta ditore, duke shkaktuar presion shtesë mbi spitalet dhe njësitë e kujdesit intensiv.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, të dielën zbuloi masa të mëtejshme që synojnë të frenojnë valën e dytë të koronavirustit të ri (COVID-19) dhe të shmangin një bllokim të ri që do të godiste rëndë ekonominë, raporton Anadolu Agency (AA).

Masat e fundit të qeverisë italiane erdhën derisa numri i rasteve të reja të koronavirusit arriti nivele të larta ditore, duke shkaktuar presion shtesë mbi spitalet dhe njësitë e kujdesit intensiv.

"Nuk mund të humbim kohë dhe duhet të veprojmë duke vendosur të gjitha masat e nevojshme për të shmangur një bllokim tjetër të përgjithshëm", tha Conte në një konferencë shtypi, duke detajuar kufizimet e reja. "Vendi nuk mund të përballojë një frenim të ri i cili do të rrezikonte rëndë të gjithë ekonominë", tha kryeministri italian.

Sipas rregullave të reja, kryetarët e bashkive italiane do të kenë fuqinë të mbyllin sheshet publike dhe vendet e tjera pas orës 21:00, duke lejuar hyrjen vetëm për banorët dhe pronarët e bizneseve.

Restorantet dhe baret do të mbyllen në mesnatë, por shërbimi i tryezës do të lejohet vetëm pas orës 18:00 pasdite. Restorantet po ashtu do të lejojnë një maksimum prej gjashtë personash të ulur në çdo tryezë.

Pas një debati, palestrat dhe pishinat do të qëndrojnë të hapura, por kryeministri Conte theksoi se ato do të jenë nën shqyrtim për një javë dhe nëse rregullat nuk zbatohen në mënyrë rigoroze, do të mbyllen.

Conte po ashtu tha se shkollat dhe universitetet do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura, por ata do të inkurajohen të lejojnë më shumë mësimin në distancë.

Ai tha se Italia nuk ka mundësi të përdorë të njëjtën strategji që përdori pranverën e kaluar për të luftuar përhapjen e virusit pasi do të mbyste rimëkëmbjen ekonomike të vendit, e cila po tregon shenja pozitive.

"Ne duhet të angazhohemi për të mbrojtur shëndetin dhe ekonominë. Qeveria është këtu, por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre", tha Conte.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në vend arriti një rekord të ri, duke arritur 11.705 në 24 orët e fundit, ndërsa numri i pacientëve që trajtohen në kujdesin intensiv vazhdoi të rritet.

Italia po ashtu regjistroi 69 vdekje të reja, duke e çuar numrin në 36.543.