“British Airways” kërkon testime për COVID-19 para fluturimit
BKT
   Bota

“British Airways” kërkon testime për COVID-19 para fluturimit

Drejtuesi i ri i kompanisë ajrore “British Airways”, Sean Doyle, kërkoi sot vendosjen e testeve shëndetësore para marrjes së fluturimit, i vetmi mjet sipas tij që do t’i mundësonte sektorit kapërcimin e krizës nga COVID-19.

“Nuk mendojmë se karantina është zgjidhja. Mendojmë se mjeti më i mirë për të garantuar njerëzit është të prezantojmë një test të besueshëm dhe të përballueshëm para se të fluturojnë”, theksoi ai në një konferencë në internet të organizuar nga industria e linjave ajrore në Britaninë e Madhe.

Bëhet fjalë për fjalimin e parë të drejtuesit të ri të “British Airways”, i cili mori drejtimin e kompanisë javën e kaluar pas largimit të paraardhësit të tij, Alex Cruz.

I gjithë sektori ka vazhduar të kundërshtojë karantinën e vendosur nga qeveria britanike dhe e cila kërkon që udhëtarët që mbërrijnë në vend dhe ata që vijnë nga Franca dhe Spanja të izolohen për 14 ditë

Kjo masë ndikoi në kërkesë dhe i detyroi linjat ajrore të rishikojnë në rënie programet e tyre të fluturimit për muajt e ardhshëm, ndërsa ata ende shpresonin këtë verë për një rifillim të trafikut ajror pas një paralize prej disa muajsh./atsh