OKB:Palët ndërluftuese në Libi dakordohen të hapin rrugët ajrore e tokësore
E dërguara e posaçme e OKB-së raportoi përparim në bisedimet me palët, të cilat gjithashtu ranë dakord për fillimin e angazhimit të përbashkët rreth sigurisë.
Komisioni i përbashkët ushtarak, i cili përfshin përfaqësues të të dyja palëve kryesore ndërluftuese të Libisë ka vendosur të hapë rrugët tokësore dhe ajrore që lidhin të gjitha rajonet dhe qytetet në Libi, deklaroi sot e dërguara e posaçme e OKB-së për Libinë, Stephanie Williams, transmeton Anadolu Agency (AA).
Williams tha se të dyja palët kishin rënë dakord të hapnin linjat ajrore në Libi, veçanërisht fluturimet për në qytetin jugor Sebha.
"Delegacionet kanë urdhëruar autoritetet e aviacionit civil të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të hapur rrugët ajrore sa më shpejtë të jetë e mundur", tha Williams.
Palët ndërluftuese ranë dakord të fillojnë aranzhimet e përbashkëta të sigurisë me theks të veçantë në rrugët tokësore Shuwerif-Sebha-Murzuq, nga Abu Grein në Jufra dhe në rrugën bregdetare Misrata-Sirte-Ajdabiya.
Komisioni i Përbashkët Ushtarak 5+5 është një nga tre pistat e sigurisë brenda-libiane në të cilat Misioni Mbështetës i OKB-së (UNSMIL) ka rinisur bisedimet për arritjen e paqes së qëndrueshme në vendin e Afrikës së Veriut që nga e hëna.
"Politikisht, UNSMIL është në fazat e fundit të përgatitjes për të filluar një forum dialogu politik libian, me një takim përgatitor virtual që do të mbahet më 26 tetor dhe një takim personal që do të mbahet në Tunizi më 9 nëntor", tha Williams.
Të dyja palët ranë dakord mbi nevojën për t'i dhënë fund përdorimit të "retorikës mediatike nxitëse dhe përshkallëzuese për të ndaluar përdorimin e gjuhës së urrejtjes".
"Ata u bënë thirrje autoriteteve gjyqësore të marrin masat e nevojshme parandaluese për të thirrur përgjegjësinë e kanaleve dhe platformave të mediave sociale që promovojnë gjuhën e urrejtjes dhe nxisin dhunë, por në të njëjtën kohë sigurojnë mbrojtjen e lirisë së shprehjes", shpjegoi Williams.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar të Libisë u themelua në vitin 2015 në bazë të marrëveshjes së sponsorizuar nga OKB-ja, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të ofensivës ushtarake nga forcat besnike të komandantit renegat Khalifa Haftar.























