BE sanksionon dy zyrtarë të ingeligjencës ruse për sulme kibernetike
Bashkimi Evropian njoftoi pasditen e së enjtes se u kishte vendosur sanksione dy zyrtarëve të lartë të inteligjencës ushtarake ruse në lidhje me një sulm kibernetik të ndodhur në vitin 2015 ndaj parlamentit gjerman.
Përmes një deklarate për shtyp, Brukseli zyrtar tha se kishte vendosur t’u ndalonte udhëtimin dhe t’u ngrinte të gjitha asetet që zotërohen prej Igor Kostyukov dhe Dimitry Badin në territorin e unionit.
Kostyukov, drejtues i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake ruse (GRU) dhe Badin, oficer i inteligjencës, anëtar i Qendrës Speciale 85, janë sanksionuar edhe nga autoritetet amerikane.
“Sulmi kibernetik ndaj parlamentit gjerman synonte informacionet e sistemit, të dhënat e e-mail-eve të disa deputetëve. Prej ditësh sistemi nuk punoi duke ndikuar te puna e parlamentit, përfshirë këtu dhe te ajo e kancelares Angela Merkel,” – u tha nga BE-ja në një deklaratë për shtyp, përcjellë euronews.albania.
Sipas BE-së, Qendra Speciale 85 është përgjegjëse për sulme të tjera të ngjashme kibernetike dhe konsiderohet një rrezik i jashtëm për shtetet e unionit. Ajo mendohet të ketë organizuar sulm të ngjashëm ndaj rrjetit të internetit të Organizatës së Ndalimit të Armëve Kimike në prill 2018.
Rusia ka mohuar të ketë lidhje me sulmet e pretenduara kibernetike.
Prej muajit maj 2019, BE ka nisur një politikë ndëshkuese ndaj sulmeve kibernetike nga ku deri në korrik 2020 qenë sanksionuar 6 persona, dy prej të cilëve me kombësi kineze dhe katër rus.
Ky është sanksioni i radhës që Brukseli u vë zyrtarëve rus pas atij të gjashtë zyrtarëve vendosur në lidhje me helmimin e opozitarit Alexei Navalny një javë më parë.























