Tensione në Nigeri, vdesin të paktën 69 persona

Tensione në Nigeri, vdesin të paktën 69 persona

Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, ka deklaruar se së paku 69 persona janë vrarë në përleshje me policinë. Protestat që po zhvillohen tash e disa ditë kanë tronditur vendin, ndërsa të vrarët thuhet se janë civilë dhe zyrtarë policorë.

Presidenti Buhari ka ftuar në takim urgjent ish-udhëheqësit e vendit për të gjetur mënyrën se si të ndalen protestat, derisa një grup që ka qenë udhëheqës i protestës, ka nxitur njerëzit të qëndrojnë në shtëpi. Rrugët e qytetit Lagos në Nigeri janë të qeta ndërsa BBC shkruan se ka mbetur një atmosferë tensioni. Protestat kishin filluar më shtatë tetor ku protestuestit kërkonin heqjen e një njësie famëkeqe policie.

Njësia është shpërbërë ndërsa protestat kanë vazhduar nën arsyetimin se në Lagos gjatë së martës, forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 12 njerëz. Ushtria e Nigerisë ka mohuar përfshirjen në këtë incident.

Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhariu ka thënë se administrata e tij është e përkushtuar në përmbushjen e kërkesave të protestuesve, ndërsa ka bërë me dije se nuk do i lejojë kriminelët që kishin “rrëmbyer” protestat, të kryejnë veprime huligane.