FBI do hetojë ngjarjen, mbështetësit e Trump rrethuan autobusin e Biden
BKT
   Bota

FBI do hetojë ngjarjen, mbështetësit e Trump rrethuan autobusin e Biden

FBI do të hetojë veprimet e mbështetësve të Trump në Teksas që ngacmuan autobusin e fushatës së Joe Biden.

Një zyrtar i demokratëve në Shtetet e Bashkuara e përshkroi incidentin e ndodhur të shtunën si një përpjekje për të ngadalësuar dhe nxjerrë nga rruga autobusin. Mjeti po udhëtonte nga San Antonio për në Austin të Teksasit.

Zyrtari demokrat shtoi se rreth 100 makina rrethuan autobusin duke e ngadalësuar me 30 kilometra në orë në autostradë, transmeton A2news.

Stafi i fushatës së Biden telefonoi policinë, duke bërë që mjeti të shoqërohej nga forcat e rendit deri në destinacion.

Nga ngjarja nuk pati të lënduar, ndërsa presidenti Trump tha me ironi se mbështetësit e tij po përpiqeshin ta mbronin autobusin e Biden, pasi, sipas tij, ata janë njerëz të mirë.