Mbyllje e dytë për Austrinë, Kancelari Kurz prezanton planin
Pasi disa shtete europiane kanë vepruar, masa të reja për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit ka prezantuar edhe Austria.
Ky shtet ka thënë se ka ndërmend të mbyllet pjesërisht, ku për katër javë, sektori i gastronomisë do të mbyllet, ndërkaq aktivitetet kulturore dhe sportive do të ndalohen. Banorët do të duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre nga ora 20:00 deri në orën 06:00. “Duke filluar nga e marta, austriakët do të ndalohen të lënë shtëpitë e tyre nga ora 20:00 pasdite deri në orën 6:00, me disa përjashtime. Restorantet do të mbyllen për shërbimet e darkës për katër javë, ndërsa shërbimet e marrjes dhe dorëzimit do të vazhdojnë. Të gjitha kompanitë që mund të lejojnë punë në distancë, duhet ta bëjnë këtë”, tha Kurz në një konferencë shtypi. “Shkollat do të qëndrojnë të hapura për momentin, shtoi ai.
Austria raportoi 5,349 raste të reja COVID-19 më herët gjatë ditës pasi raportoi një rekord të ri të lartë në infeksionet ditore të premten.
Në total, në këtë shtet prej 8,9 milionë banorësh, janë regjistruar 106,000 raste me koronavirus, ku 1 097 pacientë kanë vdekur që prej fillimit të pandemisë./RTSH























