Austria në alarm pas sulmeve terroriste
BKT
   Bota

Austria në alarm pas sulmeve terroriste

Policia në Austri tha se po kërkon për të paktën edhe një të dyshuar, për sulmet e shumëfishta në Vjenë të Austrisë, që lanë të vrarë të paktën katër persona.

Të hënën mbrëma, në kryeqytetin austriak, persona të armatosur, hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme, duke plagosur edhe 17 persona, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Një sulmues u qëllua për vdekje nga policia, thanë zyrtarët, dhe një u arrestua, transmeton BBC.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një "terrorist islamik".

Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri Nehammer tha se personi i armatosur rëndë – i vrarë nga policia –ishte një mbështetës i grupit militant, Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e tij ishte kontrolluar ku është sekuestruar video-material. Policia tha se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.

Më parë, Nehammer tha se të paktën një sulmues "i armatosur rëndë dhe i rrezikshëm" besohej të ishte akoma i lirë. Zyrtarët u cituan të thoshin se mund të kishin qenë deri në katër sulmues. Ministri i Brendshëm kërkoi nga njerëzit të shmangnin Vjenën qendrore dhe u tha prindërve të mbanin fëmijët e tyre në shtëpi të martën.

Ministri Nehammer tha se në operacionet e kërkimet për sulmuesit - numri i të cilëve është ende i paqartë - janë angazhuar edhe 1,000 pjesëtarë të sigurisë, ndërkaq shtoi se edhe vendet fqinje kanë ofruar mbështetjen e tyre për këto operacione.

Viktimat janë dy gra dhe dy burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital, thanë raportet.

Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit të mbushur me njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit.

Shtatë persona që janë plagosur, sipas mediave austriake, kanë marrë plagë të rrezikshme për jetë.

Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një "sulm të neveritshëm terrorist".

Kancelarja gjermane Angela Merkel, të martën tha se "terrori islamik është armiku ynë i përbashkët".

"Lufta kundër këtyre vrasësve dhe atyre që i nxisin – është lufta jonë e përbashkët," shkroi zëdhënësi i Merkelit në Twitter, duke shtuar: "solidaritet" me Austrinë.

Policia ka thënë se sulmi ka nisur në sinagogën Seitenstettengasse.

Policia në Republikën Çeke ka thënë se ka nisur të kryejë kontrolle rastësore kufitare në kufi me Austrinë, pas shqetësimeve se sulmuesit mund të jenë nisur në atë drejtim.

Sulmi ka ndodhur disa orë para se Austria të nisë së zbatuari kufizimet e reja në lëvizje, me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Për këtë arsye, shume njerëz janë parë në qendër të Vjenës, nëpër bare dhe restorante, të cilat do të mbyllen deri në fund të muajit nëntor./REL