Politikat e jashtme të Trump dhe Biden
BKT
   Bota

Politikat e jashtme të Trump dhe Biden

Në fushatën elektorale dy rivalet për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe Joe Biden e përdorën politikën e jashtme më shumë për të sulmuar qasjen e njëri tjetrit sesa për të shprehur vizionin e tyre për të.

Qeverisja katër vjeçare e Trump tregon një qasje të ndryshme nga ajo e shprehur vazhdimisht në reagimet ndaj politikave të Trump nga Biden.

Lidhur me NATO-n, Trump u kërkoi vendeve anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtje. Në fillim të këtij viti presidenti Trump tërhoqi 12 mijë trupa nga Gjermania ndërsa e akuzoi atë se ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara.

Biden e cilësoi NATO-n "aleancën e vetme dhe më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara". Ai ka paralajmëruar se ajo rrezikon "të zhbëhet" në rast rizgjedhjeje të Trump.

Në Europë, ndryshimet midis politikave Trump dhe Biden janë më të mprehta. Vazhdimisht janë shfaqur tensione mes Trump dhe liderëve të tjerë të BE siç është dhe kancelarja Merkel.

Pas katër vitesh të administratës Trump, marrëdhëniet gjermano-amerikane janë ftohur si kurrë më parë.

Ndërkohë që nëse fiton Biden do të shohim të njëjtën gjë që pamë me Obamën, dhe do t’u jepet përparësi  aleatëve të Amerikës në Europë dhe Azi.  Biden është shprehur për një marrëdhënie dhe bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Europian dhe me Gjermaninë.

Sa i përket Rusisë, Biden është zotuar të përballet me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe çështje të tjera.

"Nuk e kuptoj pse ky president nuk është i gatshëm të përballet me Putinin kur ai po jep shpërblime për të vrarë ushtarët amerikanë në Afganistan dhe është i përfshirë në aktivitete që po kërkojnë të destabilizojnë gjithë NATO-n,” – u shpreh Biden.

Trump ka kujtuar aneksimin e krimeve nga Rusia dhe heshtjen e administratës Obama ku Biden ishte zv president. Ai ka përmendur sanksionet amerikane ndaj Rusisë si provë të fuqisë së administratës së tij

Marrëdhënia e Trump me Kinën njohu ulje e ngritje të mëdha. Nga tentativa për bashkëpunim deri tek lufta tregtare. Kështu karakterizohen marrëdhëniet e presidentit Trump me Kinën .

COVID-19 i ashpërsoi edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Trump fajësoi Kinën lidhur me pandeminë si dhe bëri presion për të bllokuar veprimtarinë në SHBA të aplikacioneve si TikTok dhe WeChat.

Biden mbron një qëndrim më të ashpër mbi çështjet e të drejtave të njeriut në Kinë dhe situatën në Hong Kong, ndërsa ka bërë presion ndaj Pekinit mbi praktikat e saj tregtare.

Edhe sa i përket Iranit qasjet janë të ndryshme.

Biden ishte zv president kur SHBA iu bashkua pesë fuqive të tjera botërore për të nënshkruar marrëveshjen e vitit 2015, e cila kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Zoti Trump u tërhoq nga marrëveshja, duke e quajtur atë "marrëveshjen më të keqe të negociuar ndonjëherë". Ai vendosi sanksione të reja që kanë dëmtuar ekonominë e Iranit dhe e kanë shtyrë atë drejt rritjes së aktivitetit të tij bërthamor. Zoti Biden ka thënë se në rast fitoreje do të kërkonte rikthimin tek marrëveshja, por duke i kërkuar njëkohësisht Iranit që t'u përmbahet kushteve të saj.

Të dy kandidatët mbështesin një zgjidhje me dy shtete në përpjekjet e gjata për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve.

Zoti Trump ka qenë një mbështetës i zëshëm i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu dhe ai ka marrë vendim të zhvendosë ambasadën amerikane në Izraelit nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Zoti Biden e kritikoi këtë lëvizje, por nuk ka në plan ta zhbëjë atë. Ai ka propozuar hapjen e një konsullate amerikane në Jeruzalemin Lindor që do të ndihmonte në ndërveprimin me palestinezët.

Gjate muajve te fundit administrata e Trump arriti disa marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Por Biden ka thënë se Trump nuk kishte "asnjë plan koherent për politikën e jashtme" përtej përparësisë së tij për të avancuar interesat amerikane.

Administrata e zotit Trump arriti një marrëveshje me Talibanët sipas së cilës trupat amerikan duhet të largohen nga Afganistani  deri në mes të vitit 2021. Por në një postim në Twitter në tetor, Trump shkruante se dëshironte që tërheqja e trupave të përfundonte në fund të vitit 2020.

Joe Biden është shprehur për një qasje më të kujdesshme që bazohet tek kushtet në terren.

Presidenti Trump përdori një qasje tjetër ndaj Koresë së Veriut. Ai u mundua përmes një bashkëpunimi të ndalonte atë që ai e cilësoi si luftë.

Trump u takua tre herë me udhëheqësin korean si pjesë e një përpjekje për të siguruar çarmatimin bërthamor. Bisedimet nuk sollën si rezultat asnjë angazhim, por Pheniani nuk ka kryer asnjë provë me armë bërthamore apo raketa balistike që nga viti 2017, përcjellë euronews.albania.

Pozicioni i Biden është se ai nuk do të takohej me udhëheqësin e Phenianit pa parakushte. Strategji e administratës Biden do të ishte përdorimi i presionit nëpërmjet sanksioneve për ta detyruar Kim Jong Unin të negociojë.

Vënia si përparësi e interesave amerikane nga zoti Trump ka çuar në heqjen dorë nga disa angazhime ndërkombëtare sikurse largimi nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, vendimi për të shkurtuar fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë lidhur me mënyrën e trajtimit nga ana e saj të coronavirusit si dhe tërheqje nga marrëveshja tregtare e vendeve të Transpaqësorit.

Biden ka mbështetur si marrëveshjen e Parisit ashtu edhe atë të Transpaqësorit gjatë periudhës që shërbente si zv president. Në rast fitoreje në zgjedhjet e tre nëntorit ai ka bërë të ditur se do të rivendoste lidhjet me këto organizma si dhe është angazhuar për të kontribuar sërish me fonde ndaj OBSH-së.