Europa vazhdon të jetë e kërcënuar nga terrori i xhihadistëve
Sulmi i përgjakshëm në Vjenë tregon, se jo vetëm Franca është e kërcënuar prej xhihadistëve, por edhe vende të tjera europiane. Sa konkret është rreziku? Ç’mund të bëjnë autoritetet e sigurisë dhe politika?
Kancelari austriak Sebastian Kurz pas sulmit të përgjakshëm në Vjenë u shpreh për një luftë mes civilizimit dhe barbarisë, që zë fill „prej urrejtjes ndaj mënyrës sonë të jetesës dhe demokracisë sonë". Në rrethana të tilla është detyrë e politikës, që ta shpjegojë atë çfarë ka ndodhur dhe ta bëjë të kuptueshme për qytetarët. Sa më shumë të zbardhet sfondi i aktit, aq më shumë kjo do t'u ndihmojë autoriteteve të sigurisë për ta kuptuar kërcënimin e vazhdueshëm e konfuz të terrorit të motivuar nga xhihadistët në Europë.
Fitore e pjesshme në luftën kundër terrorit
Ndërsa javën e kaluar opinioni vazhdonte të ishte i shokuar prej atentatit në Nica, Europoli njoftoi për një fitore të pjesshme në luftën kundër terrorit: Policia spanjolle në veri të vendit mundi të shkatërrojë një celulë, që përgatiste sulme terroriste në emër të të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS). "Kjo celulë ishte shumë aktive online dhe përhapte propagandë xhihadiste, për të rekrutuar dhe indoktrinuar të rinj. (...) Ata paraqisnin të rinj si shembull në role të ndryshme në luftën xhihadiste". Disa prej këtyre profileve dhe rrjeteve të komunikimit në platformat e mediave sociale kishin mbi 10.000 ndjekës.
Në takimet reale të rinjtë anëtarësoheshin dhe më pas i stërvisnin fizikisht dhe mendërisht për akte terroriste në grupe sporti dhe përmes broshurave se si të përdornin thikat dhe armët e zjarrit. Policisë në Spanjë iu desh dy vjet për ta shpartalluar këtë rrjet.
Europol: Europa në luftën kundër terrorit ndodhet para sfidash të reja
Përshkrimi i këtij suksesi të pjesshëm të policisë tregon, se me çfarë duhet të luftojnë vendet europiane: "Europa aktualisht përballet më një formë të re djallëzore të terrorizmit ndërkombëtar. Ndryshimi i qartë i strategjisë së Shtetit Islamik me atentate në stilin e komandove të përqendrohen kryesisht në Europë dhe të lidhura këto me rritjen e numrit të luftëtarëve të huaj, tregon sfidën e re në BE", shkruan Europoli në vlerësimin vjetor të situatës mbi rrezikun nga terrori në Europë.
Lajmi i mirë ishte, se më 2019 numri i sulmeve ka pasur rënie të lehtë: 21 atentate të realizuara kundrejt 119 planeve për sulm të dekonspiruara, që kanë mundur të parandalohen prej autoriteteve. "Me këtë është rritur dukshëm numri i sulmeve të parandaluara", shkruan Europoli. Më të „sukseshëm" kanë qenë sulmet e kryera nga individë të veçantë. Në rastin e sulmeve të parandaluara bëhej fjalë kryesisht për vepra të planifikuara brenda një rrjeti njerëzish. Autoritetet kanë mundur t'i identifikojnë në kohë grupet e xhihadistëve. Kundrejt të të ashtuquajturve „ujqit e vetmuar" autoritetet e kanë të vështirë të reagojnë./DW























