OKB: Forcat izraelite shkatërruan një fshat palestinez
BKT
   Bota

OKB: Forcat izraelite shkatërruan një fshat palestinez

Kombet e Bashkuara kanë thënë se forcat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor kanë shkatërruar një fshat palestinez, duke lënë pa strehë 73 persona, përfshirë 41 fëmijë.

Makineria e rëndë, e përcjellë nga automjetet ushtarake, u incizuan duke shkuar në fshatin Khirbet Humsa, ku më pas i shkatërruan tendat, shtëpizat, strehimoret për kafshë, tualetet dhe panelet solare, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Këto janë disa nga komunitetet më të rrezikuara në Bregun Perëndimor”, tha Yvonne Helle, koordinatore humanitare e Kombeve të Bashkuara për territoret e pushtuara palestineze.

Tri të tretat e këtij komuniteti mbetën pa strehë gjatë operacionit që u zhvillua të martën, tha kjo zyrtare, duke e bërë këtë incidentin më të madh të zhvendosjes së detyruar në më shumë se katër vjet.

Sidoqoftë, zonja Helle tha se sa i përket numrit të strukturave të shkatërruara, operacioni ishte më i madhi në dekadën e fundit.

Të mërkurën, familjet e zhvendosura nga ky fshat u panë në mjedis të hapur, ndërsa po të njëjtën ditë filluan reshjet e shiut.

Sipas zyrtares së OKB-së, rreth 700 struktura janë shkatërruar deri më tani në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor vetëm gjatë vitit 2020, duke lënë pa strehë 869 palestinezë.