Kamerun, lirohen 11 mësuesit e rrëmbyer
Mësuesit u rrëmbyen nga një grup separatist në qytetin Kumbo në Rajonin Veriperëndimor, një nga rajonet anglishtfolëse të vendit, që është dëmtuar nga dhuna që nga viti 2017.
Njëmbëdhjetë mësues të cilët u rrëmbyen të martën në rajonin veriperëndimor të Kamerunit janë liruar, raporton Anadolu Agency (AA).
"Mund t'ju konfirmoj që 11 mësuesit që ishin rrëmbyer nga shkolla fillore Presbiteriane në Kumbo u lanë të lirë të enjten pasdite", tha për AA Samuel Fonki, kreu i Kishës Presbiteriane të Kamerunit (PCC).
“Mjekët i ekzaminuan ata dhe po ndjehen mirë. Ata u lanë të lirë nga rrëmbyesit e tyre nën presionin e shoqërisë civile duke përfshirë sindikatat e mësuesve dhe Kisha Presbiteriane dhe pa kompensim financiar", tha Fonki ndërsa falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në ndërmjetësim.
Të martën, 12 mësues dhe disa nxënës u rrëmbyen nga një grup separatist në qytetin Kumbo në Rajonin Veriperëndimor, një nga rajonet anglishtfolëse të vendit, që është dëmtuar nga dhuna që nga viti 2017.
Nxënësit më vonë u lanë të lirë së bashku me një nga mësuesit, ndërkohë 11 mësuesit e tjerë u morën nga separatistët, të cilët kërkuan të paguanin shpërblesë në këmbim të pengjeve.
Rrëmbimi ndodhi 10 ditë pas vrasjes së shtatë nxënësve të shkollës në Kumba në Rajonin Jugperëndimor, gjithashtu kryesisht anglishtfolës.
Sipas një deklarate të qeverisë ata u qëlluan për vdekje në klasën e tyre nga separatistët e armatosur.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte "tronditur" nga "sulmi i tmerrshëm".
Kameruni nga viti 2017 u përfshi në protesta dhe dhunë, ndërsa banorët e rajonit ku flitet anglisht pohojnë se nga Qeveria qendrore dhe shumica, që flasin frëngjisht, me dekada margjinalizohen.
Aktet e dhunës në rajonet që flasin anglisht gjatë tre viteve të fundit morën rreth 3.000 jetë dhe shkaktuan shpërnguljen e mbi 730.000 civilëve, tregojnë të dhënat e Human Rights Watch.























