Jep dorëheqje dhëndri i Erdoganit
Dhëndri i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ka dhënë sot dorëheqje nga posti i Ministrit të Financave, duke përmendur arsye shëndetësore, raporton AFP.
"Pasi isha në poste ministrore për gati pesë vjet, mora vendimin për të mos vazhduar shërbimin tim (si ministër i Financave) për shkak të problemeve shëndetësore," deklaroi Berat Albayrak në një mesazh në Instagram.
Albayrak (42) ka qenë ministër i Financave që nga korriku 2018, dhe më parë ai ishte ministër i Energjisë për tri vjet.
Dorëheqja e tij pasoi largimin e guvernatorit të Bankës Qendrore Turke Murat Uysal, i cili u zëvendësua nga ish-ministri i Financave Naji Agbal.
Analistët vënë në dyshim arsyen e dorëheqjes së Albayrak. Disa përmendin se ish-ministri tani kishte marrëdhënie të mira me Jared Kushner, një këshilltar i presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Sipas tyre, këto marrëdhënie nuk janë më të rëndësishme për Erdogan pasi Trump humbi zgjedhjet presidenciale.
Albayrak është i martuar me vajzën e Erdoganit Esra dhe kanë katër fëmijë.























