Ndërron jetë drejtori i përgjithshëm i BTA-së Maxim Michev
BKT
   Bota

Ndërron jetë drejtori i përgjithshëm i BTA-së Maxim Michev

Pas një sëmundje të shkurtër ka vdekur në moshën 67 vjeçare, Maxim Minchev, gazetar dhe drejtues për një kohë të gjatë i agjencisë bullgare të lajmeve BTA dhe sekretar i përgjithshëm i Kongresit botëror të Agjencive të lajmeve, ka njoftuar Agjencia e Lajmeve Bullgare, BTA.

Sipas BTA-së, Minchev ishte në spital për disa ditë me Covid-19.

Lindur më 5 qershor 1953 në Sofje, Minchev u diplomua për gazetari në Universitetin e Lviv, përfundoi një kurs në Akademinë Ushtarake Georgi Rakovski dhe nga 1993 e deri më 1996 ishte anëtar i NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.

Karriera e tij si gazetar përfshinte punën në Radion Kombëtare Bullgare dhe Radion Evropa e Lirë.

Ai së pari u bë drejtor i përgjithshëm i BTA në 2003 dhe mbajti një numër postesh të tjera të rëndësishme, duke përfshirë, nga 2016, si president i Shoqatës së Agjencive të Lajmeve Ballkanike - Evropa Juglindore, si sekretar i përgjithshëm i Kongresit Botëror të Agjencive të Lajmeve, dhe si kryetar i Shoqatës së Agjencive Kombëtare të Lajmeve të Detit të Zi.

Minchev gjithashtu filloi takime vjetore të mediave bullgare të huaja nga e gjithë bota.

Ai ishte autor i librave të shumtë, përfshirë udhëtimet e tij në Afrikë, njofton BTA.

Ndërkohë, Maxim Minçev është kujtuar si një mik dhe profesionalistë edhe nga CEO i KosovaPress-it, Skënder Krasniqi.

“Nuk mund ta besoj që nuk je më fizikisht me ne miku im dhe miku i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress. Gjithmonë ishte kënaqësi të takoheshim me ju në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Sofje...Jemi krenarë që bashkëpunuam gjatë gjithë këtyre viteve, duke kontribuar për një Ballkan më të mirë dhe një botë më të mirë. Ngushëllime familjes, miqve në ABNA dhe Kongresin Botëror të Agjencive të Lajmeve. U prefsh në paqe miku im”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Agjencia e lajmeve KosovaPress dhe BTA kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që nga viti 2018-të, ndërsa nga viti 2017 është së bashku në rrjetin e agjencive të shteteve të Ballkanit dhe nga viti 2019 në kongresin botërorë të Agjencive të lajmeve.

KosovaPress i shpreh ngushëllime BTA-se dhe familjes Minchev.