Irani raporton 486 vdekje të tjera nga COVID-19, vendosen kufizime të reja
BKT
   Bota

Irani raporton 486 vdekje të tjera nga COVID-19, vendosen kufizime të reja

Irani ka vendosur të zbatojë kufizime të reja për shkak të rasteve të përditshme dhe vdekjeve nga COVID-19, të cilat kanë arritur nivelet më të larta që nga fillimi i pandemisë.

Në Iran, 486 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të kaluara si rezultat i koronavirusit të ri (COVID-19), ndërsa janë regjistruar 13.053 raste të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Sima Sadat Lari, tha se bilanci i të infektuarve deri më tani ka arritur në 775.121, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 41.979.

Lari theksoi se deri më tani janë shëruar 564.699 persona, ndërkohë që 5.677 pacientë janë në gjendje kritike.

Deri më tani, vendi ka kryer 5.505.088 teste.

Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë tha se të gjitha 31 provincat e vendit janë cilësuar si zona "të kuqe" ose "të rrezikshme".

Vdekjet arrijnë nivelet më të larta

Irani ka vendosur të zbatojë kufizime të reja për shkak të rasteve të përditshme dhe vdekjeve nga COVID-19, të cilat kanë arritur nivelet më të larta që nga fillimi i pandemisë.

Ali Reza Reisi, zëdhënës i Bordit Kombëtar Kundër Koronavirusit, deklaroi se bizneset jothelbësore do të mbyllen nga 21 nëntori në më shumë se 100 provinca dhe rrethe të cilësuara në kategorinë e rajoneve "me rrezik të lartë", duke përfshirë kryeqytetin Teheran. Siç është raportuar, kufizimet do të vazhdojnë deri në rënien e numrit të rasteve.