Australia do të publikojë raportin e krimeve të luftës në Afganistan
"Vrasja e paligjshme e civilëve afganë nga forcat e Australisë është një njollë në reputacionin e vendit", thotë aktivisti i të drejtave.
Australia ka vendosur të publikojë raportin e "hetimit shumë sekret" në lidhje me akuzat për krime lufte nga forcat e saj speciale të vendosura në Afganistanin e shkatërruar nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).
Inspektori i përgjithshëm i Forcave Australiane të Mbrojtjes, i cili kaloi më shumë se katër vjet duke hetuar akuzat e tmerrshme kundër trupave australiane, tashmë e ka dorëzuar raportin tek qeveria.
"Raporti përfundimtar nga gjykatësi Paul Brereton pritet të dalë të enjten", raportoi të hënën ABC (Korporata Australiane e Transmetimit).
Ishte raporti shpërthyes nga ekspertja Samantha Crompvoets në vitin 2016 që detyroi hetimin për "dhunën e paligjshme" të kryer nga trupat australiane.
Raporti u porosit nga shefi ushtarak i atëhershëm australian Angus Campbell. "Dua të them, ato nuk janë unike - ka pasur histori gjatë dy dekadave të fundit, me të vërtetë, rreth Forcave Speciale Australiane", tha Crompvoets.
Ajo shtoi se ushtarët australianë "ishin të jashtëzakonshëm në fshehjen e sjelljes së tyre".
Javën e kaluar, Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, njoftoi se Australia do të ndjekë penalisht ushtarët e saj për krimet e pretenduara të luftës të kryera në Afganistan.
"Kishte një numër të konsiderueshëm incidentesh dhe çështjesh për t'u parë, kurse hetimet do të ishin në thelb të ndërlikuara", tha Morrison, duke shtuar se hetuesi special i vendit do të trajtojë çështjet penale të përmendura në raportin e inspektorit të përgjithshëm, do të hetojë ato akuza, do të mbledhë prova, dhe, nëse është e përshtatshme, t'i dërgohet përmbledhja drejtorit të prokurorive publike për shqyrtim.
Roli i supozuar i ushtarëve australianë në krimet e luftës kundër afganëve doli në pah pasi ABC zhvilloi një seri, “Dosjet afgane”, lidhur me çështjet në vitin 2017.
“Dosjet afgane” akuzuan trupat australiane për vrasjen e civilëve në Afganistan, ndërsa zbulimet tronditëse çuan në bastisjet e policisë në selinë e ABC në Sidnej vitin e kaluar.
Rrëfimet nga gazetarët investigativë të ABC Dan Oakes dhe Sam Clark zbuluan akuzat për vrasje të paligjshme dhe sjellje të keqe nga forcat speciale australiane dhe bazoheshin në qindra faqe të dokumenteve të fshehta të mbrojtjes.
Roli i Australisë në Afganistan daton që nga viti 2001 dhe vazhdon të sigurojë mbështetje ushtarake për "aktivitetet këshilluese, operacionale dhe të rindërtimit" në vendin e shkatërruar nga lufta.























