AKK: Evropa ka nevojë për SHBA për t’u mbrojtur
Ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer mbetet besnike ndaj qëndrimeve të saj, duke deklaruar se Europa ka nevojë për SHBA për të mbrojtur veten.
“Europa nuk do të jetë në gjendje të mundësojë sigurinë e saj të plotë në dekadat e ardhshme pa ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s”, theksoi ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë.
“Ideja e autonomisë strategjike për Evropën shkon shumë larg nëse ushqen iluzionin se ne mund të sigurojmë siguri, stabilitet dhe prosperitet evropian pa NATO dhe Shtetet e Bashkuara”, shtoi Kramp-Karenbauer.
Ajo shtoi se do të kalojnë dekada para se Europa të krijojë potenciale ushtarake konvencionale dhe bërthamore që mund të kompensojnë gjithçka të siguruar nga NATO dhe SHBA në këtë moment.
“Gjermanët dhe europianët duhet të përballen me sfidat e mëdha së bashku me SHBA-në për të qenë efektivë”, deklaroi më herët zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert.
“Dhe ne jemi të sigurt se kjo do të ndodhë. Me francezët jemi në një marrëveshje të plotë mbi faktin se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të fqinjëve”, shtoi ai duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me kritikat e presidentit francez, Emmanuel Macron ndaj linjës së shprehur nga ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer. /atsh























