Meksika do të marrë përsipër hetimin penal të ish-shefit të sigurimit
BKT
   Bota

Meksika do të marrë përsipër hetimin penal të ish-shefit të sigurimit

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së hodhi akuzat për trafik të drogës dhe për pastrim parash kundër Salvador Cienfuegos.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së hodhi poshtë akuzat e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave ndaj Salvador Cienfuegos, duke dorëzuar ish-sekretarin meksikan të Mbrojtjes në duar të sistemit të drejtësisë së vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së dhe Prokurori i Përgjithshëm Federal i Meksikës njoftuan se akuzat kundër Cienfuegos do të hidhen poshtë në SHBA, por ai do të përballet me hetim penal në Meksikë.

Sipas Departamentit të Drejtësisë në SHBA, të gjitha provat dhe informacionet mbi arrestimin e Cienfuegos u dërguan në prokurorinë meksikane, duke premtuar bashkëpunim të mëtejshëm në këtë çështje.

Qeveria meksikane filloi hetimet e saj pasi u informua për arrestimin e Cienfuegos në SHBA, para së cilës asnjë hetim ose pretendim nuk ishte paraqitur në Meksikë kundër tij, thuhet në deklaratë.

Presidenti i Meksikës, Lopez Obrador deklaroi se asnjë provë ose akuzë nuk ishte ngritur deri më tani, duke akuzuar Departamentin e luftës kundër drogës të SHBA-së (DEA) për bashkëpunim me Cienfuegos.

"Nuk kishte informacione. Ata (DEA) kishin më shumë informacione sepse dikur ata bashkëpunonin, ne nuk posedonim asnjë informacion dhe nuk mbulonim askënd", tha Obrador.

Salvador Cienfuegos shërbeu si sekretar i sigurisë kombëtare në kohën e ish-presidentit, Enrique Pena Nieto nga 2012 deri në vitin 2018. Më 15 tetor, policia arrestoi Cienfuegos për trafik droge dhe pastrim parash.

Pas arrestimit të tij, deputetët e lidhur me Partinë Revolucionare Institucionale të Pena Nietos (PRI) ngritën një iniciativë për të siguruar burime ekonomike për Cienfuegos, duke përdorur buxhetin federal për të paguar mbështetjen ligjore të Cienfuegos, megjithëse më pas u refuzua nga presidenti Obrador.

"Kur meksikanët arrestohen ose të përballen me gjykata në vendet e huaja, ne do t'i mbështesim ata. Ata kanë ndihmë konsullore, por ne nuk do të përdorim burime për të ndihmuar këdo që përballet me akuza kriminale", tha Obrador.

Salvador Cienfuegos është udhëheqësi i dytë i rangut të lartë ushtarak që u arrestua për akuza të trafikut të drogës. Vitin e kaluar, Genaro Garcia Luna u arrestua gjithashtu për akuza të ngjashme në Teksas të SHBA-së.