Kryeministri i Indisë uron Biden-in për fitoren në zgjedhje
Modi në një telefonatë me Biden-in u dakordua të punojë ngushtë për të avancuar më tej partneritetin e tyre bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta..
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi uroi presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Joe Biden të martën në mbrëmje në bisedën e tyre të parë që nga njoftimi i rezultatit të zgjedhjeve.
Në një deklaratë nga qeveria indiane thuhet se Modi në një telefonatë me Biden-in u dakordua të punojë ngushtë për të avancuar më tej partneritetin e tyre bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta.
Modi e përshkroi fitoren e Biden-it në zgjedhje si "një dëshmi e forcës dhe qëndrueshmërisë së traditave demokratike në SHBA".
"Udhëheqësit diskutuan prioritetet e tyre, përfshirë frenimin e pandeminë së COVID-19, promovimin e aksesit në vaksina të përballueshme, trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunimin në rajonin Indo-Paqësor", thuhet në njoftim.
Kryeministri indian gjithashtu uroi zëvendës-presidenten e zgjedhur të SHBA-ve, Kamala Harris, 56-vjeçare, nëna e të cilës është indiane.
Ajo u bë personi i parë me ngjyrë që do të ushtrojë detyrën e zv/presidentes.
"Përcolla urime të ngrohta edhe për zv/presidenten e zgjedhur KamalaHarris. Suksesi i saj është një çështje e krenarisë dhe frymëzimit të madh për anëtarët e komunitetit indiano-amerikan, të cilët janë një burim i jashtëzakonshëm force për marrëdhëniet indo-amerikane", shkroi Modi pas thirrjes telefonike./aa























