Erdogan për Samitin G20: Vendimtar në frenimin e pasojave të pandemisë

Erdogan për Samitin G20: Vendimtar në frenimin e pasojave të pandemisë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erogan, ka thënë se vendimet e marra në samitin G20 të këtij viti do të jenë vendimtare në përpjekjen globale për të frenuar efektet e pafavorshme të pandemisë COVID-19 dhe në përmbushjen e pritjeve të botës nga ky grup.

“Vendimet që do të merren në samitin e Riadit do të jenë përcaktuese jo vetëm në zbutjen e ndikimeve negative të pandemisë, por edhe në përmbushjen e pritjeve nga G20,” tha Rexhep Tajip Erdogan në një mesazh me video të shpërndarë në llogarinë Twitter të G20 Arabia Saudite, shkruan Anadolu.

Për shkak të pandemisë, Samiti i Liderëve të grupit G20 që këtë vit kryesohet nga Arabia Saudite filloi sot me video-lidhje.

Duke treguar “efektin e jashtëzakonshëm” të pandemisë në të gjitha aspektet e jetës njerëzore, Erdogan tha: “Pandemia gjithashtu na ka kujtuar të gjithëve edhe një herë se ne jemi anëtarë të familjes së madhe të njerëzimit pavarësisht nga feja, gjuha, rajoni dhe raca.”

Erdogan tha se Turqia ka shtrirë një dorë ndihme për 156 vende dhe nëntë organizata ndërkombëtare në luftën kundër pandemisë, si dhe përmbushjen e nevojave të qytetarëve të saj.

“Unë besoj se pandemia e koronavirusit ka rritur përgjegjësinë dhe rëndësinë e G20, e cila bashkon ekonomitë më të mëdha të botës nën të njëjtën çati”, tha Erdogan.

“Shpresoj që Samiti i Liderëve të G20, i mbajtur në një kohë kur ne e kuptojmë më mirë vlerën e bashkëpunimit global përballë një problemi global, do të jetë i mbara për vendet tona dhe mbarë njerëzimin.”

Ai gjithashtu falënderoi mbretin dhe autoritetet Saudite në vend për “presidencën e suksesshme me mandatin e tyre, pavarësisht kushteve të vështira të pandemisë”.

Në Samitin e G-20 marrin pjesë: Turqia, Gjermania, SHBA-ja, Argjentina, Australia, Brazili, Kina, Indonezia, Franca, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, India, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja, Meksika, Rusia, Arabia Saudite dhe Bashkimi Evropian.