Ish-kryeministri i Japonisë përballet me hetime për organizimin e darkave

Ish-kryeministri i Japonisë përballet me hetime për organizimin e darkave

Shinzo Abe akuzohet se ka mbuluar kostot e darkave me mbështetësit në evenimentet e financuara nga taksapaguesit.

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, po përballet me hetime lidhur me pretendimet për shpenzimin e mijëra dollarëve në darkat e organizuara për mbështetësit e tij gjatë mandatit të tij tetë vjeçar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia e lajmeve Kyodo njoftoi sot se zyra e ish-kryeministrit Abe dyshohet se ka mbuluar një deficit prej rreth 77 mijë dollarësh, një "shkelje e mundshme e ligjit të kontrollit të fondeve politike".

Hetimi erdhi pasi një ankesë penale u bë nga disa avokatë në muajin maj kundër Abe. Në akuzë pretendohet se Abe dhe zyrtarët e tij shkelën ligjin "duke mos raportuar dallimin në pagesën midis kostove totale të secilës palë dhe kontributeve të paguara nga të pranishmit".

Shumë nga ish-sekretarët e Abe dhe mbështetës të tjerë janë marrë në pyetje nga prokurorët publik.

Pagesat e diskutueshme nga Abe thuhet se janë bërë midis viteve 2013 dhe 2019 në hotelet e Tokios.

"Zyra ime po bashkëpunon plotësisht me hetuesit. Nuk mund të them asgjë më shumë se kaq në këtë fazë", tha sot Abe para përfaqësuesve të mediave.

Ceremonitë e darkave mbaheshin çdo vit duke filluar nga viti 2015 në dy hotele në Tokio ku faturat totale tejkaluan shumën e mbledhur nga shitja e biletave.

Të pranishmit në këto evenimente paguanin rreth 48 dollarë secili. Megjithatë, evenimentet me pesë yje në kryeqytetin japonez zakonisht kushtojnë afërsisht 105 dollarë ose më shumë për person.

Të paktën 800 mbështetës të Abe morën pjesë në darkën e vitit 2019 të partisë.

Ceremonitë e darkave të organizuara nga grupi i mbështetësve të Abe-s zakonisht organizoheshin në prag të festës vjetore të ekspozimit të luleve të qershisë.

Kjo gjithashtu tërhoqi kritikat në llogari të ish-kryeministrit Abe për "ftesën e qindra mbështetësve të tij në evenimentet e financuara nga taksapaguesit".

"Faturat nga hotelet tregojnë se dallimi u mbulua nga zyra e Abe-s", thanë burimet për Yonhap News.

Nëse vërtetohet se Abe ka shkelur ligjin zgjedhor duke "kontribuar në mbulimin e kostos së ceremonisë", kjo do të thotë "blerje e votave".

Megjithatë, Abe ka mohuar në parlament që zyra e tij të ketë mbuluar koston.

Pasi mori drejtimin e vendit në mes të shtatorit, pasardhësi i Abe-s, Yoshihide Suga, premtoi të braktisë traditën e mbajtjes së këtyre ceremonive të financuara nga shteti.