Ambjentalistët, entuziastë për emërimin e John Kerry-it emisar për klimën

Ambjentalistët, entuziastë për emërimin e John Kerry-it emisar për klimën

Imazhi është dëshmi e angazhimit të zotit Kerry për të luftuar ndryshimet klimatike si detyrë ndaj brezave të ardhshëm.

“Puna që filluam me Marrëveshjen e Parisit është larg përmbushjes. Do të kthehem në qeveri për ta kthyer Amerikën në rrugën e duhur për sfidën më të madhe të këtij brezi dhe atyre që do të vijnë pas”.

Ambjentalistët e përshëndetën emërimin e tij.

“Të paktë janë ata në botë me një karrierë aq të shquar në betejën kundër ndryshimeve klimatike sa John Kerry,” tha përmes një deklarate shefi ekzekutiv i Institutit për Burime Botërore, Andrew Steer.

Zoti Kerry ishte një ndër figurat kryesore në negociatat për arritjen e Marrëveshjes së Parisit. Ai kishte punuar më parë me kinezët në përpjekje për t’i bindur të reduktonin gazet ndotëse. Fakti që dy vendet që shkaktojnë ndotjen më të madhe – SHBA dhe Kina – po punonin për të luftuar problemin, e bëri më të qartë rrugën drejt marrëveshjes.

Megjithatë shumë republikanë këmbëngulin se Marrëveshja e Parisit e vë në disavantazh Amerikën, sepse SHBA u zotua të bëjë reduktime më të mëdha se vende të tjera ndotëse si Kina dhe India. Marrëveshja, megjithatë, nuk është masë e detyrueshme për vendet që e kanë nënshkruar.

Kthesë e Fortë

Zoti Kerry do të jetë pjesë e një administrate që synon ta bëjë luftën kundër ndryshimeve klimatike një përparësi kryesore. Zoti Biden bëri fushatë duke premtuar se do të jetë një ndër temat parësore me të cilat do të merret kur të vijë në Shtëpinë e Bardhë.

Një qëndrim i tillë dallon dukshëm nga politikat e administratës Trump. Përveç lehtësimit të shumë rregulloreve mbi çlirimin e gazeve ndotëse, Presidenti Trump e nxori SHBA nga Marrëveshja e Parisit.

Dalja nga Marrëveshja e Parisit hyri në fuqi më 4 nëntor, një ditë pas u zgjodh zoti Biden si president. Zoti Biden është zotuar ta rikthejë vendin në këtë pakt sapo të vijë në post.

Emërimi i zotit Kerry “i dërgon një mesazh pjesës tjetër të botës se SHBA është gati të marrë rol udhëheqës për klimën,” tha në një deklaratë John Podesta, themelues i grupit kërkimor me prirje të majta, Qendra për Përparim Amerikan, si dhe Christy Goldfuss, po me këtë grup.

Ndryshimet klimatike dhe Siguria Kombëtare

Në postin që do të marrë, zoti Kerry do të ketë si detyrë jo vetëm të ndreqë marrëdhëniet e dëmtuara gjatë katër viteve të fundit, por edhe të bindë vendet e tjera të bëjnë më shumë. Shkencëtarët thonë se nuk mbetet shumë kohë për të bërë reduktime drastike në gazet ndotëse, para se bota të pësojë dëme klimatike katastrofike.

“Ai është shumë i vetëdijshëm se puna e tij për katër vitet e ardhshme nuk është të rrijë në salla negociatash në selinë e OKB-së, por të mobilizojë botën për veprim,” tha ish-këshilltari i Presidentit Obama për energjinë, Paul Bodnar në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Megjithëse detyrat e emisarit për klimën nuk janë të qarta ende, zoti Kerry do të jetë pjesë e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Është hera e parë që kjo temë ka vendin e vet në tryezën e diskutimeve, megjithëse Departamenti i Mbrojtjes gjatë administratave demokrate apo republikane, e ka ngritur ngrohjen globale si “koefiçient shumëfishues i kërcënimeve” duke keqësuar tensionet.

Një raport i vitit 2019 thekson se “ndikimi i ndryshimeve klimatike është çështje e sigurisë kombëtare me pasoja të mundshme në misionet e, planet operacionale e instalimet e Departamentit të Mbrojtjes”.

Zoti Kerry do të përqëndrohet tek beteja kundër ndryshimeve klimatike përmes politikës së jashtme, ndërsa ekipi i zotit Biden ka në plan të emërojë një tjetër zyrtar për përpjekjet e brendshme kundër ndryshimeve klimatike./VoA