Koreja e Jugut shënon numër të lartë të rasteve ditore me COVID-19
BKT
   Bota

Koreja e Jugut shënon numër të lartë të rasteve ditore me COVID-19

Deri më 7 dhjetor, të gjithë trupat e ushtrisë do t`u nënshtrohen rregullave të shtrënguara të disntacimit social në kazerma, me pushime dhe udhëtime të pezulluara duke filluar nga nesër.

Koreja e Jugut gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar 583 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), numër më i lartë njëditor që nga muaji mars, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave nga Agjencia Koreane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, me infeksionet e reja, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Korenë e Jugut ka shkuar në 32.318.

Po ashtu brenda 24 orëve të fundit u regjistruan dy viktima nga koronavirusi, duke e çuar në 515 numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga virusi.

Më 6 mars, Koreja e Jugut regjistroi 518 raste të reja të koronavirusit. Më vonë në muajin gusht, vendi regjistroi 441 raste të reja në një ditë të vetme.

Që nga 8 nëntori, numri i rasteve njëditore të koronavirusit ka vazhduar të rritet përsëri.

Mediat lokale raportojnë se ministri i Shëndetësisë, Park Neung-hoo, ka theksuar se vendi ndodhet në një situatë ku "shpërthimi i virusit mund të ndodh në çdo vend ku jetojmë".

"Me valën e tretë të infeksioneve që rrisin përmasat dhe ritmin e virusit, ne duhet të ndjekim me përpikmëri rregullat e distancimit shoqëror", tha Neung-hoo.

Të gjithë 17 qytetet dhe provincat kryesore raportuan raste të reja të virusit, ndërsa 402 raste u raportuan në zonën më të madhe të kryeqytetit Seul, ku banojnë gjysma e popullsisë së vendit.

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, autoritetet lokale konsiderojnë sjelljen e kufizimeve të ashpra për të frenuar përhapjen e koronavirusit në qytetet më të mëdha.

Ushtria pezullon përkohësisht pushimin e trupave të saj

Ndërkohë, ushtria e Koresë së Jugut ka marrë vendim për ndalim të përkohshëm të pushimit për të gjitha trupat e saj.

Deri më 7 dhjetor, të gjithë trupat e ushtrisë do t'u nënshtrohen rregullave të shtrënguara të disntacimit social në kazerma, me pushime dhe udhëtime të pezulluara duke filluar nga nesër.

Njoftimi erdhi një dita pasi 66 ushtarë dhe katër oficerë të Koresë së Jugut rezultuan pozitiv ndaj koronavirusit në një kamp ushtarak në qytetit kufitar Yeoncheon, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus në ushtri ka shkuar në 341.