Në Siri vriten të paktën 19 luftëtarë të mbështetur nga Irani

Në Siri vriten të paktën 19 luftëtarë të mbështetur nga Irani

Sulmet ajrore kanë lënë të vrarë të paktën 19 luftëtarë të milicive pro-Iranit në Siri.

Kështu tha Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë kjo që shtoi se sulmet ajrore goditën pozicionet e milicive që mbështeten nga Irani në qytetin Albu Kamal në provincën Deir Ezzor. Në këto sulme, që besohet që është kryer nga Izraeli, shumica e të vrarëve janë luftëtarë pakistanezë, transmeton AFP.

Media shtetërore siriane nuk ka raportuar për këto sulme ajrore dhe Izraeli shumë rrallë pranon se qëndron prapa sulmeve, por Vëzhguesi Sirian tha se Izraeli ka kryer edhe të paktën dy sulme ajrore ndaj forcave pro-Iranit në Siri që nga dita e shtunë.

Ndërkaq të mërkurën gjatë sulmeve ajrore në afërsi të Damaskut janë vrarë të paktën tetë luftëtarë që mbështeten nga Irani, tha Vëzhguesi Sirian, organizatë me bazë në Londër, që monitoron luftën në Siri.

Irani mbështetë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad në konfliktin sirian.

Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore në Siri që prej se ka nisur konflikti më 2011, duke pasur për cak forcat iraniane dhe ato të Hezbollohut, por edhe forcat qeveritare siriane.

Në luftën në Siri janë vrarë mbi 380 mijë persona dhe janë zhvendosur miliona të tjerë, që prej se nisi konflikti më 2011.


MË SHUME NGA Bota