Hungaria thërret ambasadorin ukrainas mbi politikat e pakicave
BKT
   Bota

Hungaria thërret ambasadorin ukrainas mbi politikat e pakicave

Ministri i Jashtëm hungarez, Szijjarto tha se është e papranueshme që derisa një vend dëshiron të jetë pjesë e komunitetit transatlantik, vazhdimisht frikëson dhe ushtron presion mbi një pakicë.

Hungaria të hënën ka thirrur ambasadorin ukrainas pasi Shërbimi i Sigurimit të Shtetit të Ukrainës (SBU) bastisi zyrat e hungarezëve etnikë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto tha se është e papranueshme që derisa një vend dëshiron të jetë pjesë e komunitetit transatlantik, vazhdimisht frikëson dhe ushtron presion mbi një pakicë që i përket një anëtareje të NATO-s.

Szijjarto tha se Hungaria ka ngritur zërin ndaj Ministrisë së Jashtme të Ukrainës kundër bastisjeve dhe shtoi se ai po ashtu do ta ngrinte çështjen gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s që do të mbahet sot.

Të dyja vendet janë përplasur në mënyrë të përsëritur në vitet e fundit për ato që Hungaria theksoi se ishin kufizime për të drejtat e rreth 150 mijë hungarezëve etnikë që jetojnë në Ukrainë për të përdorur gjuhën e tyre amtare, veçanërisht në arsim, pasi Ukraina miratoi një ligj që kufizonte përdorimin e gjuhëve të pakicave në shkolla.