Republika e Afrikës Qendrore përballet me një situatë kritike të HIV-it
Organizata bamirëse mjekësore i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rrisë mbështetjen për vendin.
HIV/AIDS mbetet një nga shkaktarët kryesor të vdekjes në Republikën e Afrikës Qendrore (RAQ) ku më pak se gjysma e njerëzve që jetojnë me sëmundjen janë në trajtim, kanë thënë "Mjekët pa Kufij" (MSF), transmeton Anadolu Agency (AA).
Laurent Lwindi Mukota, këshilltari mjekësor për HIV në MSF në një raport të martën për Ditën Botërore të AIDS-it tha se situata është më alarmante për fëmijët nën moshën 15-vjeç që janë të vetëdijshëm për statusin e tyre të HIV-it, por më pak se një e katërta e tyre janë në trajtim.
Raporti thotë se gjysma e rreth 110 mijë njerëzve të RAQ që jetojnë me virusin janë në trajtim antiretroviral.
Vendi me prevalencën më të lartë të HIV-it në të gjithë rajonin e Afrikës Perëndimore dhe Afrikës Qendrore është rrënuar nga konfliktet disa vjeçare. RAQ gjithashtu varet nga financimi i pamjaftueshëm i jashtëm për përgjigjen e tij ndaj HIV-it.
Marie Charlotte Bantah Sana, udhëheqësja e programit kundër sëmundjeve ngjitëse në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Popullsisë, në një raport tha se barrierat financiare përkeqësojnë situatën.
"Në një vend ku shumica e njerëzve jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë, pengesat financiare për kujdesin po e përkeqësojnë këtë situatë", tha ajo në raport.
"Shumica e njerëzve në RAQ duhet të paguajnë për të bërë testin HIV. Ata gjithashtu duhet të paguajnë për disa teste të tjera shtesë para se të lejohen të fillojnë trajtimin", theksoi Sana.
Ajo tha se si rezultat, 30 për qind e të gjithë pacientëve të ftuar për një vlerësim para-trajtimit nuk kthehen për të filluar mjekimin e tyre.
RAQ ka një nga nivelet më të ulëta të jetëgjatësisë në mbarë botën sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2019 mbi perspektivat e popullsisë.
Organizata bamirëse mjekësore i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për të mbledhur fonde dhe mbështetje për RAQ duke pasur parasysh situatën aktuale sfiduese të HIV-it në vend.























