Portugalia: Bllokimi i fondeve të BE-së është i papranueshëm

Portugalia: Bllokimi i fondeve të BE-së është i papranueshëm

Portugalia u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian për të dënuar Poloninë dhe Hungarinë për pengim të miratimit të paketës së bllokut evropian për rimëkëmbje nga koronavirusi.

Këto dy shtete janë duke bllokuar këtë proces pas kushtëzimeve që u janë vënë nga blloku evropian për çështjet rreth sundimit të ligjit, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Është e papranueshme që dy shtete anëtare të mund të bllokojnë një vend që është shumë shumë i rëndësishëm dhe vendimtar për gjithë Bashkimin Evropian dhe për rimëkëmbjen e Evropës, dhe për një argument të tillë”, ka thënë ministri i Jashtëm portugez, Augusto Santos Silva, në një konferencë online në Romë.

“Sundimi i ligjit është një nga vlerat dhe parimet bazike në Bashkimin Evropian”.

Hungaria dhe Polonia kanë bllokuar për disa javë lëshimin e fondeve në vlerë të 1.85 trilion eurosh nga buxheti shtatëvjeçar i BE-së dhe fondi për zhvillim post-COVID.

Ato kundërshtojnë përpjekjet e bllokut evropian që të ndajë fonde për këto shtete, pasi të respektojnë sundimin e ligjit dhe normat demokratike./REL