Johnson: Një marrëveshje tregtare me BE-në duket shumë e vështirë
"Çfarëdo që të ndodhë më 1 janar do të ndodh një ndryshim dhe njerëzit duhet t`i përgatiten këtij ndryshimi", tha kryeministri i Britanisë se Madhe.
Kryeministri i Britanisë se Madhe, Boris Johnson, tha se nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian (BE) në negociatat e Brexit-it duket "shumë e vështirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Johnson, pas vizitës në spitalin Guy's dhe St. Thomas në Londër, ku u zhvillua vaksinimi i parë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), dha deklarata për mediat britanike rreth negociatave të Brexit-it.
Ai rikujtoi se periudha e tranzicionit në Brexit do të përfundojë më 31 dhjetor. "Çfarëdo që të ndodhë më 1 janar do të ndodh një ndryshim dhe njerëzit duhet t'i përgatiten këtij ndryshimi. Mund të vijë momenti ku do të vendosim për një rezultat pa marrëveshje. Jemi duke punuar për të bërë më të mirën për Britaninë", tha ai.
"Një marrëveshje tregtare me BE-në duket shumë e vështirë", tha Johnson duke shtuar se palët janë shumë largët në lidhje me peshkimin.
Ndërkohë Johnson, dje kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratën e bërë pas bisedës, u theksua se ende vazhdojnë mosmarrëveshjet mbi çështjet kritike si mjedisi i konkurrencës së ndershme, inspektimi dhe peshkimi.
Ndryshe, në referendumin e mbajtur në qershor të vitit 2016 për largim nga BE-ja, 52 për qind e qytetarëve votuan pro Brexit-it.
Vendi zyrtarisht u largua nga BE-ja më 31 janar, duke vazhduar negociata gjithëpërfshirëse me BE-në për marrëdhëniet bilaterale.
Në rast të mos arritjes së marrëveshjes, palët marrëdhëniet e tyre bilaterale do t'i zhvillojnë sipas rregullave të Organizatës Botërore për Tregti pas 31 dhjetorit të këtij viti.























