S’ka marrëveshje mes Britanisë e BE-së, bisedimet vazhdojnë deri të dielën
BKT
   Bota

S’ka marrëveshje mes Britanisë e BE-së, bisedimet vazhdojnë deri të dielën

Darka e Kryeministrit Boris Johnson me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila u organizua me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për tregtinë pas Brexit-it, ka përfunduar pa marrëveshje.

Qeveria e Britanisë tha se ende ka dallime të mëdha mes palëve, por bisedimet do të vazhdojnë dhe një vendim pritet të arrihet të dielën për atë se a do të mund të arrihet një marrëveshje.

Edhe zonja Von der Leyen tha se dy palët janë ende larg njëra-tjetrës, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Bisedimet mes shefit britanik të negociatave, Lord Frost, dhe shefit të BE-së për negociatat me Britaninë, Michel Barnier, do të vazhdojnë më vonë në Bruksel. Këto dy figura ishin të pranishme edhe në darkën mes Johnsonit dhe Von der Leyenit.

Një korrespondente e televizionit BBC tha se darka qartazi ka shkuar keq dhe se gjasat që Britania e Madhe të largohet nga periudha e tranzicionit pa marrëveshje në fund të vitit janë edhe një hap më afër.

Për këtë marrëveshje kanë mbetur edhe pak ditë, sepse Britania do ta ndërpresë zbatimin e rregullave të BE-së për tregti nga 1 janari i vitit 2021.

Palët kanë më së shumti mospajtime për të drejtat e peshkimit, rregullat e konkurrencës mes bizneseve dhe mënyrën se si do të mbikëqyrej marrëveshja e mundshme.