Gjysma e familjeve në Buenos Aires humbën të ardhurat gjatë pandemisë
Raporti i fundit nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Regjistrimeve të Argjentinës (INDEC) tregoi se katër në 10 familje kishin të paktën një anëtar me probleme punësimi si pushimi nga puna, pezullimi apo ulja e të ardhurave.
Pothuajse gjysma e familjeve në Zonën Metropolitane të Buenos Aires, humbën të ardhurat gjatë pandemisë, sipas një studimi të fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Regjistrimeve të Argjentinës (INDEC) zbulojnë se 49,3 për qind e familjeve në qendrën urbane humbën të ardhurat e tyre për shkak të kufizimeve të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).
Raporti i fundit i INDEC, i cili përmban të dhëna nga periudha gusht-tetor, tregoi se katër në 10 familje kishin të paktën një anëtar me probleme punësimi si pushimi nga puna, pezullimi apo ulja e të ardhurave.
Ndërkohë, 33,8 për qind e familjeve duhej të eliminonin një ushqim thelbësor nga listat e tyre të tregut për shkak të humbjes së të ardhurave.
Shifrat janë të zymta pasi tre të katërtat e banorëve në Buenos Aires tashmë kanë marrë ndihmë financiare të siguruar nga qeveria.
"Ndikimi ishte më i madh në familjet me kryefamiljarë të arsimit të ulët (deri në shkollën e mesme jo të plotë): 45,7 për qind", tha raporti duke iu referuar problemeve të punës. "Në ato familje me kryefamiljarë meshkuj dhe femra me një nivel arsimor të mesëm, shifra e të prekurve arrin në 37 për qind; kurse në familjet, kryefamiljarët meshkuj dhe femra të të cilave kanë një nivel të plotë arsimi universitar ose më shumë, 34,5 për qind".
Argjentina ka regjistruar më shumë se 1,5 milion raste të koronavirusit dhe mbi 41 mijë vdekje, sipas të dhënave të përpiluara nga Universitetit Johns Hopkins me bazë në SHBA.
Vendi ka rënë dakord të blejë rreth 22 milionë doza të vaksinës AstraZeneca/Oxford kundër COVID-19 dhe 10 milionë doza të vaksinës ruse Sputnik V.























