Merkel: Progres në negociatat për arritjen e një marrëveshjeje postBrexit
Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje mbi marrëdhënien postBrexit mes Londrës dhe Bashkimit Europian kanë regjistruar progrese dhe do të vazhdojnë deri në fund të javës, theksoi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Komisioni Europian po negocion aktualisht (…) deri në fundjavë, le të themi më mirë, deri në fund të kësaj jave për të parë nëse mund të ketë ende një zgjidhje. Ka pasur progrese, por asnjë përparim”, deklaroi para deputetëve kancelarja gjermane, vendi i të cilës mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian deri në fund të vitit.
“Ne mbetemi të mendimit se një marrëveshje do të ishte më mirë sesa pa marrëveshje, por ne jemi të përgatitur edhe për rastin e dytë”, shtoi ajo.
Negociatat mes britanikëve dhe europianëve në përpjekje për të arritur një marrëveshje post-Brexit kanë bërë disa progrese, por bllokimet vazhdojnë veçanërisht mbi çështjen shumë të ndjeshme të peshkimit, dy javë nga afati përfundimtar i divorcit mes Londrës dhe BE-së më 31 dhjetor në mesnatë./atsh























