Francë, burg të përjetshëm për autorin e sulmit të armatosur në tren
Katër të dyshuar mbahen fajtorë për terrorizëm, vrasje në tentativë në trenin me shpejtësi të lartë që u pengua nga veprimet heroike të udhëtarëve.
Një gjykatë speciale në Paris dënoi me burgim të përjetshëm autorin e sulmit të dështuar në tren në vitin 2015 ndërsa tre bashkëpunëtorë morën nga 7 deri në 27 vjet burg, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendimi erdh një ditë pas gjykimit të sulmit të vitit 2015 ndaj revistës Charlie Hebdo dhe një supermarketi hebre që la 17 të vdekur gjatë një rrethimi tre-ditorë.
Shtetasi maroken Ayoub El-Khazzani, 31 vjeç, u mbajt fajtor për vrasje në tentativë, komplot për kryerjen e një akti terrorist, posedim të armës dhe pjesëmarrje në një grup terrorist, me një dënim prej 22 vjetësh, përfshirë periudhën e paraburgimit.
Khazzani kishte hipur në trenin Thalys që udhëtonte nga Amsterdami për në Paris më 21 gusht 2015 i armatosur me një pushkë dhe pistoletë automatike me direktivat e Abdelhamid Abaaoud, organizatori i sulmeve të Parisit në nëntor 2015, për të vrarë "ushtarë amerikanë dhe anëtarë të Komisionit Evropian". Ai kishte qëlluar dy persona në tren para se të mposhtej nga pasagjerët e tjerë.
Gjatë gjyqit që filloi më 16 nëntor, Khazzani pohoi se nuk kishte ndërmend të kryente vrasje masive.
Bilal Chatra, një migrant i ri algjerian i akuzuar për ndihmën e operatorëve të DEASH-it si "udhëzues", u dënua me 27 vjet burg. Mohamed Bakkali dhe Redouane El Amrani Ezzerrifi, të cilët kishin ndihmuar me logjistikë sulmet e nëntorit, u dënuan me 25 vjet, përkatësisht 7 vjet burgim.
Prokuroria vlerësoi se sulmi ishte planifikuar nga Siria nga grupi terrorist DEASH. Abaaoud, i cili drejtoi celulën e grupit në Francë dhe Belgjikë dhe kreu një seri sulmesh midis 2015 dhe 2016, kishte rekrutuar Khazzani-n.
Spencer Stone, një ish-ushtarak i Forcave Ajrore të SHBA-së dhe dy miqtë e tij amerikanë si dhe një pasagjer britanik rrëzuan për toke Khazzani-n e armatosur, duke parandaluar një "kasaphane" në trenin që udhëtonte nga Amsterdami për në Paris.
Që të katër u nderuan si heronj për trimërinë e tyre dhe morën vlerësimin më të lartë të vendit, "Legion d'Honneur" nga presidenti i atëhershëm francez, François Hollande.























