SHSKUK kërkon mobilizim për oksigjen nga operatorët e licencuar
Për kërkesat e shtuara të pacientëve për oksigjen, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), kanë kërkuar mobilizimin e të gjitha kapaciteteve të operatorëve të licencuar për furnizim me oksigjen mjekësor dhe të gjitha kapaciteteve teknike dhe humane në Republikën e Kosovës për të përballuar situatën e rënduar.
Në njoftimin e lëshuar për media, Bordi Drejtues siguron të gjitha palët se SHSKUK ka ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar që vetëm oksigjeni i licencuar mjekësor, sipas Autorizim Marketingut, të lëshuar nga Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), është në përdorim për pacientët.
Për më tepër, gjithashtu është siguruar se përdorimi i bombolave të mbushura me oksigjen mjekësor është në përputhje me Ligjin Nr. 06/l-031 Për Pajisjet nën Presion dhe ligjet tjera të aplikueshme dhe nga operatorët e licencuar nga ministria përkatëse.
Tutje, Bordi Drejtues i SHSKUK ka kërkuar dhe në vazhdimësi kërkon, nga:
– U.d. drejtori i SHSKUK që në rast të emergjencave shëndetësore, si rezultat i pandemisë COVID- 19, të mobilizojnë të gjitha kapacitetet dhe resurset teknike dhe njerëzore në SHSKUK, për të adresuar nevojat shëndetësore për oksigjen mjekësor dhe terapi tjetër përcjellëse si dhe të kujdesen për shfrytëzim racional të resurseve që janë të kufizuara;
– Institucionet publike të Republikës së Kosovës të ndërmarrin të gjitha masat për të asistuar dhe lehtësuar përmbushjen e nevojave shëndetësore për furnizim me Oksigjen mjekësor dhe terapinë tjetër përcjellëse;
– Operatorët ekonomik, në rast të emergjencave shëndetësore, si rezultat i pandemisë COVID-19, të marrin të gjitha masat dhe mobilizojnë të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, për të adresuar nevojat emergjente shëndetësore për oksigjen mjekësor si dhe terapisë tjetër përcjellëse.
Bordi Drejtues i SHSKUK-së duke pasë në konsideratë atë që u tha më lartë, apelon qytetarët që të ju përmbahen respektimit të masave të dala nga institucionet shëndetësore për parandalimin e bartjes së infeksionit COVID-19.























