Makarona me mish të grirë, si t’i përgatisni për një darkë plot shije
BKT
Kuzhina

Makarona me mish të grirë, si t’i përgatisni për një darkë plot shije

Padyshim që Italia është atdheu i makaronave. Spaghetti-it e famshme me shijen e tyre tunduese kanë magjepsur gjithë botën. E sigurisht, të gjithë jemi dakord me këtë fakt.

Por fantazia dhe mjeshtëria në kuzhinë i lë gjithmonë një shteg të hapur sfidës.

Receta shqiptare, e përkryer e makaronave me kima është rasti tipik kur shijet e kulinarisë së shteteve të ndryshme sfidojnë njëra-tjetrën.

Shumë vite më parë, përgatitja e makaronave me kima nga amvisat shqiptare sidomos gjatë periudhës së komunizmit dëshmonte mirëqenie.

Ky gatim special ishte ndër më të mirat që ofronin restorantet e asaj kohe, traditë që vijon edhe sot, megjithëse e kombinuar dhe e ndërthurur me recetat italiane.

Makaronat me kima kanë një shije të plotë dhe kombinohen në mënyrë të shkëlqyer me sallatat e freskëta të stinës sidomos sallatat jeshile, spinaq apo rukola.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e vjetër të traditës shqiptare të makaronave me kima, një mënyrë fantastike për ta përgatitur për gjithë familjen.

Përgatitja e makaronave me kima në shtëpi

Përbërësit

Një pako makarona të gjata

400 gramë mish të grirë

4-5 kokrra domate të pjekura mirë

Një karrotë

Një kokërr qepë

Një thelpi hudhër

Gjysmë gotë me verë të kuqe (sipas preferencës)

Vaj ulliri

Kripë

Piper

Majdanoz

Djathë kaçkavall i grirë

Përgatitja

Në një tigan të thellë shtojmë vajin e ullirit, qepën e grirë hollë dhe karrotat e grira në kubikë të vegjël.

I kaurdisim derisa të zbuten. Shtojmë hudhrën e grirë hollë bashkë me mishin e grirë dhe vijojmë t’i kaurdisim. Më pas i shuajmë me pak verë të kuqe dhe e lëmë derisa të avullojë. Më pas shtojmë domatet e grira në rende si salcë, shtojmë kripën dhe piperin. I kaurdisim për pak dhe shtojmë 1-2 gota ujë dhe i lëmë të zjejmë derisa salca të bëhet e trashë.

Ndërkohë, në një tenxhere hedhim ujë, kripë dhe disa pika vaj ulliri dhe e vendosim në zjarr që të zjejë.

Në momentin që uji nis të zjejë hedhim makaronat dhe i lëmë të zjejnë për 8-9 minuta.

I heqim nga zjarri, i kalojmë në kullorëse dhe i bashkojmë me salcën e përgatitur.

I shërbejmë të ngrohta dhe i spërkasim sipër me djathë kaçkavall të grirë. /agroweb