Udhëtimi drejt Turqisë, nuk lejohet hyrja pa testin PCR negativ
Duke nisur nga e hëna e 28 dhjetorit, Turqia do të kërkojë që të gjithë pasagjerët që mbërrijnë përmes rrugëve ajrore të kenë me vete rezultat negativ të testit PCR, jo më të vjetër se 72 orë para nisjes së tyre.
Një vendim i tillë do të jetë i vlefshëm nga 30 dhjetori edhe për të gjithë udhëtarët që mbërrijnë përmes rrugëve tokësore dhe detare.
Lajmi u bë me dije nga ministri turk Shëndetësisë.
Pasagjerët që nuk kanë një rezultat negativ (PCR) nuk do të lejohen të hipin në avionë për në Turqi, njofton euronews.albania.
Ministri tha gjithashtu se pasagjerët që fluturojnë nga Britania, Afrika e Jugut dhe Danimarka, krahas rezultatit të tamponit, do t'i nënshtrohen karantinës pas mbërritjes.
Ai tha se ishin të nevojshme masa të reja për mbërritjet ndërkombëtare në Turqi për shkak të rritjes së numrit të rasteve në gjithë botën dhe përshpejtimit të pandemisë.
“Ata që nuk paraqesin testin e tyre (negativ) në portën kufitare kur të hyjnë në vendin tonë do të futen në karantinë në adresat ku ata banojnë. Kjo masë do të vazhdojë deri më 1 mars 2021”, u shpreh ministri.























