Zyrtari kryesor zgjedhor i Xhorxhias: "Presidenti Trump e ka gabim"
BKT
   Bota

Zyrtari kryesor zgjedhor i Xhorxhias: "Presidenti Trump e ka gabim"

Presidenti amerikan Donald Trump "thjesht e ka gabim" kur flet për parregullsitë zgjedhore në Xhorxhia, tha të hënën zyrtari më i lartë zgjedhor i këtij shteti, i cili të shtunën refuzoi kërkesën e zotit Trump që ai t’i gjente vota të mjaftueshme për ta kthyer në fitore humbjen prej 11,000 votash në Xhorxhia ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Sekretari i Shtetit i Xhorxhias Brad Raffensperger, që është zyrtari i zgjedhjeve në këtë shtet, tha për programin "Good Morning America" në kanalin ABC News se gjatë telefonatës prej një ore që ai dhe zoti Trump patën të shtunën, u bë e qartë se Presidenti vazhdon të besojë në teoritë e pabaza për mashtrim në zgjedhje dhe që, sipas tij, bënë që të 16 votat elektorale të Xhorxhias t’i kalonin rivalit Biden.

“Ai foli shumicën e kohës. Ne dëgjuam shumicën e kohës,” tha zoti Raffensperger. “Të dhënat që ka ai janë thjesht gabim. Ai ka të dhëna të gabuara.”

"Gjatë dy muajve të fundit, ne vazhdojmë të bëjmë luftë me thashethemet", tha zoti Raffensperger. “Kjo ishte mjaft e qartë shumë herët, kur ne hodhëm poshtë si të pavërtetë secilën prej atyre teorive që kanë qarkulluar. Por Presidenti Trump vazhdon t’i besojë atyre. Ne mendojmë se e vërteta ka rëndësi.”

Të hënën, zoti Trump, i cili ka refuzuar të pranojë humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Biden, e vazhdoi në Twitter sulmin e tij për rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se në mbrëmje, ai do të zbulonte "numrat e vërtetë", kur të shkonte në Xhorxhia për të bërë fushatë për dy senatorë republikanë që përballen të martën në balotazh me dy sfidues demokratë.

"Si mund të çertifikosh zgjedhjet, kur numrat që çertifikohen janë të GABUAR dhe kjo mund të verifikohet", tha Trump në një koment që Twitter-i e etiketoi si "të debatueshëm".

Në telefonatën me sekretarin e shtetit të Xhorxhias, Presidenti Donald Trump paraqiti një sërë kalkulimesh të paqarta dhe pretendimesh të rreme, duke kërkuar përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhje.

Lutja e tij drejtuar zotit Raffensperger për të "gjetur" vota shtesë për të është dënuar nga një numër personalitetesh politike, kur regjistrimi i plotë i bisedës u publikua të dielën pasdite nga gazeta Washington Post.

Zëvendës Guvernatori i Xhorxhias, Geoff Duncan, i tha televizionit CNN: "Mund t’ju them me 100 për qind siguri se (biseda) ishte e papërshtatshme dhe sigurisht që nuk e ndihmoi situatën. Ajo ishte e bazuar në keqinformime. Ishte e bazuar në të gjitha llojet e teorive që janë hedhur poshtë dhe përgënjeshtruar gjatë 10 javëve të fundit.”

Senatorja republikane Marsha Blackburn e shtetit Tenesi, një mbështetëse e vendosur e zotit Trump, tha në programin "Fox & Friends" të televizionit Fox News se lutja e Presidentit Trump për më shumë vota për të përmbysur rezultatin në Xhorxhia nuk ishte "e dobishme".