OSBE thirrje për "respektim të procesit demokratik" në SHBA
BKT
   Bota

OSBE thirrje për "respektim të procesit demokratik" në SHBA

Në deklaratë theksohet se Linde dhe Schmid lidhur me zhvillimet në ndërtesën e Kongresit Amerikan kanë bërë thirrje për sigurimin e rregullit në mënyrë paqësore dhe respektimin e procesit demokratik.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) lidhur me ngjarjet mbi hyrjen e mbështetësve të presidentit amerikan, Donald Trump, në ndërtesën e Kongresit Amerikan në kryeqytetin Washington të SHBA-së ka bërë thirrjen për "sigurimin e rregullit në mënyrë paqësore dhe respektimin e procesit demokratik", transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim të bërë nga OSBE, përfshihen deklaratat e presidentes së radhës të OSBE-së dhe ministres së Jashtme suedeze, Ann Linde, si dhe të sekretares së përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid.

Në deklaratë theksohet se Linde dhe Schmid lidhur me zhvillimet në ndërtesën e Kongresit Amerikan dhe përreth kanë bërë thirrje për sigurimin e rregullit në mënyrë paqësore dhe respektimin e procesit demokratik.

Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, është shprehur se "Duhet të tregohet respekt ndaj rezultateve të zgjedhjeve demokratike dhe vlerave themelore të kushtetutës".

Ndërsa sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Schmid, pasi ka shprehur shqetësimin e saj nga këto zhvillime ka deklaruar se "Jam e shqetësuar që dëshmoj këto sulme kundrejt parimeve dhe institucioneve demokratike në Washington".