BE dyfishon vaksinat COVID19 të BioNTech/Pfizer me 300 milionë doza të reja
BKT
   Bota

BE dyfishon vaksinat COVID19 të BioNTech/Pfizer me 300 milionë doza të reja

Me kontratën e re, Bashkimi Evropian do të mund të blejë 200 milionë doza të tjera me një mundësi për 100 milionë të tjera, përveç 300 milionë dozave tashmë të siguruara.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se institucioni që drejton ajo ka rënë dakord të dyfishojë numrin e vaksinave të koronavirusit të ri (COVID-19) me kompanitë farmaceutike BioNTech dhe Pfizer.

"75 milionë doza do të jenë në dispozicion në tremujorin e dytë të vitit dhe pjesa tjetër në tremujorin e tretë dhe të katërt. Pa investuar në ndërtimin e kapaciteteve tona në fillim, ne nuk do të kishim mundur të dyfishojmë numrin e vaksinave", tha para mediave von der Leyen.

Ajo po ashtu theksoi se BE-ja arriti marrëveshje me gjashtë kompani farmaceutike, përkatësisht me Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline.

"Nëse të gjitha janë efektive, në dispozicion do të jenë 2,3 miliardë vaksina. Kjo është më shumë se e mjaftueshme për ne. Nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për vendet e tjera që kërkojnë mbështetjen tonë", tha von der Leyen.

Vendet anëtare të BE-së duhet të miratojnë marrëveshjen e re të vaksinave.