YouTube ia pezullon kanalin Trumpit për shkak të nxitjes së dhunës

YouTube ia pezullon kanalin Trumpit për shkak të nxitjes së dhunës

Faqja e famshme për video, YouTube, njoftoi të martën se e ka pezulluar kanalin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për shkak të shkeljes së rregullave kundër nxitjes së dhunës pas sulmit të javës së kaluar në ndërtesën e Capitol-it nga përkrahësit e Trumpit.

Platformat e internetit dhe rrjetet sociale po distancohen dhe po marrin masa kundër atyre që nxitën dhunë ose që morën pjesë në të gjatë sulmit të ndërtesës shtetërore në Uashington DC.

YouTube njoftoi përmes një deklarate se kanali i Trumpit në këtë faqe nuk mund të ngarkojë video të reja dhe nuk mund të bëjë transmetime të drejtpërdrejta për së paku shtatë ditë, por kjo periudhë kohore mund të zgjatet.

Përkrahësit e presidentit në largim e sulmuan ndërtesën e Capitol-it të mërkurën e kaluar në përpjekje për ta ndërprerë procesin e certifikimit të fitores së Bidenit nga Kongresi, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Trumpi, i cili është përpjekur ta kontestojë fitoren e rivalit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, fillimisht i lavdëroi përkrahësit, por më vonë e dënoi dhunën e shkaktuar nga ta.

Ligjvënësit u detyruan të largohen nga ndërtesa, pasi protestuesit depërtuan brenda dhe i kaluan forcat e sigurisë. Pesë persona vdiqën si pasojë e dhunës, përfshirë një zyrtar policor.

Pas incidentit, Facebook-u dhe Twitter-i ia bllokuan llogaritë Trumpit dhe i kanë fshirë materialet që jepnin përkrahje për sulmin e javës së kaluar.