Facebook së shpejti me përfaqësues në Turqi

Facebook së shpejti me përfaqësues në Turqi

Kompania Facebook tha të hënën se ka filluar procesin e emërimit të një personi juridik si përfaqësues në Turqi. Vendimi merret pasi Turqia ka miratuar në ligj të ri për mediat sociale, të cilave u kërkon të emërojnë përfaqësues në këtë vend.

Facebook tha se kjo masë nuk do të ndryshojë standardet e komunitetit të kompanisë. Përmes një deklarate, Facebook tha se nëse përballet me presion mbi ato standarde, do ta tërheqë përfaqësuesin.

Kritikët thonë se Ankaraja ka shtrënguar kontrollin e saj ndaj mediave, raporton Reuters.

Sipas legjislacionit turk, kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale, Facebook dhe Twitter duhet të kenë zyrat e tyre përfaqësuese në Turqi për të trajtuar ankesat kundër përmbajtjes në këto platforma.

Dështimi i emërimit të një përfaqësuesi, që duhet të jetë shtetas turk, do të rezultojë me gjoba, ndalim të reklamimit dhe zvogëlim të aktivitetit, që më pas do të vështirësonte përdorimin e tyre.

Legjislacioni, i miratuar në mesin e vitit 2020, po ashtu u kërkon ofruesve të këtyre shërbimeve që të ruajnë të dhënat në Turqi, duke e bërë më të lehtë qasjen në to nga prokurorët dhe autoritetet tjera.

Grupet për të drejta të njeriut dhe opozita janë të shqetësuar rreth asaj që e kanë konsideruar si gërryerje të lirisë së shprehjes në Turqi, pasi mijëra persona tani do të jenë subjekte të procedurave penale “për ofendim” të presidentit turk, Recep Tyyip Erdogan në rrjetet sociale.

Ata thonë se rritja e kontrollit në rrjetet sociale do të kufizojë qasjen turke në informacion të pavarur apo atë kritik, në një shtet ku mediat janë në duart e biznesmenëve të afërt me qeverinë, apo kontrollohen nga shteti.

“Pse tani?”, ka pyetur, Yaman Akdeniz, profesor në Universitetin Bilgi të Stambollit, njëherësh ekspert për siguri kibernetike.

“Derisa shtypi dhe transmetuesit janë nën kontrollin e qeverisë, rrjetet sociale janë relativisht të lira. Mediat sociale janë kthyer në një prej pak hapësirave për shprehje të lirë dhe efektive”, ka thënë ai më parë, për agjencinë e lajmeve, AFP.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch ka shprehur shqetësime për ligjin, duke besuar se i njëjti mund të mundësojë kontrollin qeveritar në këto platforma, të ketë qasje në përmbajtje dhe në mënyrë arbitrare të shënjestrojë individët.

Organizata tjetër ndërkombëtare, Amnesty International ka thënë po ashtu para votimit se kushtet që parasheh legjislacioni janë drakonike.

Mosdurimi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ndaj rrjeteve sociale daton nga protestat anti-qeveritare të mbajtura më 2013, të cilat ishin organizuar kryesisht përmes postimeve në Facebook dhe Twitter.REL