Shefja në detyrë e USAGM fillon zhbërjen e politikave të pararendësit
Duke lëvizur me shpejtësi në ditën e saj të parë si ushtruese e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), gazetarja Kelu Chao mbikëqyri largimin e drejtuesve të lartë të Zëri të Amerikës, duke përmbysur një emërim të kritikuar gjerësisht nga paraardhësi i saj, Michael Pack, i emëruar nga ish presidenti Donald Trump.
Robert Reilly, të cilin zoti Pack e emëroi si drejtor të Zërit të Amerikës në dhjetor, u largua së bashku me zëvendësen e tij, Elizabeth Robbins.
Yolanda Lopez, ish-drejtore e lajmeve qendrore të Zërit të Amerikës, të cilën zoti Reilly e transferoi javën e kaluar, u emërua drejtore e përkohshme e Zërit të Amerikës.
Me largimin e tij, zoti Reilly hyri në histori si drejtori i parë i Zërit të Amerikës që largohet dy herë, duke shërbyer pak më shumë se një vit gjatë dy emërimeve në një diferencë prej 20 vjetësh.
USAGM e njoftoi të enjten personelin nëpërmjet postës elektronike për ndryshimet, duke konfirmuar gjithashtu se presidenti Joe Biden kishte zgjedhur zonjën Chao, një veterane shumë të vlerësuar të Zërit të Amerikës, si drejtore ekzekutive të USAGM. Michael Pack dha dorëheqjen të mërkurën pasi që administrata e re e informoi atë se do të shkarkohej. Brian Conniff, ish-presidenti i Rrjeteve të Transmetimit të Lindjes së Mesme, u emërua zëvendës i zonjës Chao.
Njoftimi konfirmoi se Jeffrey Shapiro dha dorëheqjen si drejtor i Zyrës së Transmetimeve për Kubën.
Zonja Chao, një gazetare veterane që ka punuar për më shumë se 40 vjet në Zërin e Amerikës, është gruaja e parë që mban postin më të lartë në USAGM.
Si ushtruese e detyrës, zonja Chao do të mbikëqyrë rrjetet e USAGM që përfshijnë Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Zyrën e Transmetimeve për Kubën, Rrjetin e Transmetimit të Lindjen e Mesme dhe organizatën jofitimprurëse të lirisë së internetit, Fondi i Teknologjisë së Hapur. Në njoftim thuhet se presidenti Biden pritet të emërojë një drejtor të përhershëm së shpejti.
Emërimi i zotit Reilly kishte nxitur kritika dhe shqetësime në mesin e ligjvënësve.
Të paktën 48 gazetarë aktualë dhe ish gazetarë kishin bërë thirrje që zoti Reilly dhe zonja Robbins të jepnin dorëheqjen javën e kaluar, duke i akuzuar se kishin shkelur kodin e gazetarisë duke i dhënë një zyrtari të lartë të qeverisë "një platformë falas për të folur drejtpërdrejt në kanalet tona". Ata përmendën gjithashtu transferimin e papritur të korrespondentes së Zërit të Amerikës nga Shtëpia e Bardhë, Patsy Widakuswara.
Zonja Widakuswara u zhvendos në Shërbimin Indonezian, ku ajo filloi karrierën e saj në Zërin e Amerikës, pasi u përpoq t’i bënte pyetje ish sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo mbi ngjarjet aktuale, pas një fjalimi të mbajtur në auditorin e Zërit të Amerikës.
Ajo gjithashtu u përball me zotin Reilly se përse ai nuk e shfrytëzoi kohën për pyetje e përgjigje më pas, për të shtruar pyetjet e ngritura nga gazetarët për çështje të diskutueshme.
Pamjet e përballjes së saj me zotin Reilly, shfaqin drejtorin duke i thënë zonjës Widakuswara se ajo nuk ishte "e autorizuar" të bënte pyetje dhe ta qortonte se nuk dinte si të sillej. Ajo e kishte ndjekur zotin Pompeo derisa po dilte nga ndërtesa e Zërit të Amerikës, duke bërë pyetje.
Ligjvënësit dhe ish zyrtarët e USAGM thanë muajin e kaluar se komentet publike të zotit Reilly dhe librat e tij, që shprehin pikëpamje të diskutueshme rreth homoseksualëve dhe myslimanëve, rrezikonin të shkaktonin dëm të pariparueshëm për besueshmërinë dhe namin e rrjetit. Kur mori detyrën si drejtor i Zërit të Amerikës në dhjetor, zoti Reilly i tha personelit se shkrimet e tij të mëparshme ishin "të parëndësishme" për detyrat e tij zyrtare.
Eliot Engel, ish kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, nuk ishte dakord dhe e përshkroi si “të turpshëm” emërimin e zoti Reilly.
"Gazetarët e Zërit të Amerikës nuk duhet të durojnë dëmtimin e namit duke u detyruar të punojnë për dikë me pikëpamje kaq të prapambetura dhe që nuk janë në hap me vlerat amerikane", tha zoti Engel.
USAGM nuk dha asnjë shpjegim për largimin e zotit Reilly.
Mandati i zotit Pack, u shënua me procese gjyqësore, ankesa të sinjalizuesve, kërkesë nga Kongresi për ta detyruar të paraqitej në një seancë mbi agjencinë që ai drejton, si dhe vendime të gjykatës që i ndaluan atij të ndërhyjë në operacionet e organizatave që mbikëqyren nga USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Fondin e Teknologjisë së Hapur, i cili mbështet lirinë globale të internetit.
Në intervistat e fundit zoti Pack mbrojti veprimet e tij, duke thënë se po punonte për të trajtuar shqetësimet e sigurisë brenda agjencisë, ndërsa theksonte njëanshmërinë në përmbajtjen e programeve.
David Seide, një këshilltar u kartë në Projektin për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), që përfaqëson më shumë se 20 sinjalizues në Zërin e Amerikës, mirëpriti ndryshimet ne udhëheqje.
Ai tha se agjencia duhet të lëvizë për të rikthyer në punën e saj zonjën Widakuswara dhe çdo individ tjetër që është pezulluar ose hequr në mënyrë të padrejtë dhe të hetojë pretendimet për keqmenaxhim.
Gjatë mandatit të zotit Pack vitin e kaluar, ligjvënësit dobësuan pozicionin e drejtorit ekzekutiv duke përfshirë më shumë kontrolle në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare.
Ndryshimet do t'i japin bordit pushtetin për të këshilluar shefin e agjencisë për të siguruar respektimin e integritetit dhe pavarësisë së rrjeteve dhe për të miratuar emërimet ose shkarkimet e drejtuesve të rrjetit.
Bordet gjithashtu do të duhet të jenë dy-partiake dhe anëtarët duhet të kenë një formim të rëndësishëm në gazetari, teknologji, transmetime ose në diplomaci.
Ndryshimet mund të ndikojnë në bord të ri konservator të caktuar nga zoti Pack para largimit të tij këtë javë. Më 19 janar ai emëroi anëtarët e rinj konservatorë për bordet e rrjeteve, duke përfshirë zotin Roger Simon, një kontribuues në portalin "The Epoch Times", i cili i ka cilësuar trazirat vdekjeprurëse të janarit në Kapitol si një operacion "të rremë". Një anëtar tjetër bordi i emëruar nga ai, Christian Wheaton, ka mbrojtur aneksimin e Krimesë nga Rusia./voa























