Humb jetën nga COVID-19 ministri i Mbrojtjes së Kolumbisë
BKT
   Bota

Humb jetën nga COVID-19 ministri i Mbrojtjes së Kolumbisë

“Me keqardhje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e ministrit tonë të Mbrojtjes, Carlos Holmes Trujillo”, tha presidenti i Kolumbisë, Duque në një video deklaratë.

Ministri i Mbrojtjes së Kolumbisë, Carlos Holmes Trujillo sot në mëngjes në moshën 69-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, bëri të ditur presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque Marquez, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me keqardhje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e ministrit tonë të Mbrojtjes, Carlos Holmes Trujillo”, tha presidenti Duque në një video deklaratë.

Trujillo doli pozitiv ndaj koronavirusit (COVID-19) më 12 janar, pas së cilës shëndeti i tij u përkeqësua. Ai u shtrua në spitalin ushtarak në Bogota, ku qëndroi në njësi të kujdesit intensiv.

"Nuk mund ta shpreh dhimbjen që kam. Carlos Holmes ishte shoku im, partneri im në betejë, bashkëpunëtori im dhe ministri im", tha presidenti kolumbian.

Para se të bëhej ministër i Mbrojtjes, Trujillo ishte ministër i Jashtëm në qeverinë e presidentit Duque. Ai kishte shprehur interesin e tij për t’u kandiduar për president në zgjedhjet e vitit 2022.

Ish-presidenti Alvaro Uribe, një nga aleatët më të ngushtë politik të Trujillos, tha se lajmi për vdekjen e Trujillos "ma thyen shpirtin".

Sipas vlerësimeve të Universitetit "Johns Hopkins", COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e pothuajse 52 mijë personave dhe ka prekur më shumë se 2 milionë persona në Kolumbi.