S’ka vaksina për të varfrit, situatë alarmante në Pakistan
BKT
   Bota

S’ka vaksina për të varfrit, situatë alarmante në Pakistan

Në shtetet perëndimore, vaksinat e para të koronavirusit u pritën me entuziazëm e shpresë.

Por, në shumicën e vendeve më të varfra si Pakistani, shpërndarja nuk ka filluar ende.

Një spital në Karaçi është plot, e nuk ka shtretër për të gjithë pacientët e Covid-19.

“Jemi plot, kemi pacientë që presin, kemi familje që vuajnë; pacientë me oksigjen në shtëpi të cilët nuk kanë vend në spital”, shprehet mjekja Nashwa Ahmad.

Mjekët e clësojnë si tepër zhgënjyese, mungesën e vaksinave, transmeton A2news.

“Vaksina nuk ka ardhur e as nuk pritet të vijë shpejt. Kjo nënkupton se punonjësit e shëndetësisë duhet të vijojnë të punojnë pa papushim pa qenë të mbrojtur nga vaksina.”

E megjithatë, ndihma duket të jetë rrugës. Programi Covax i cili synon shpërndarjen e 2 miliardë vaksinave deri në 2021, ka premtuar dozat e para në shkurt. Shumica e dozave do t’u jepen 92 shteteve më të varfra, pa para.

“Covax është krijuar për të garantuar një qasje të drejtë e të barabartë, në mënyrë që asnjë vend apo person që ka nevojë për vaksinën, të lihet pas”, shprehet Aurelia Nguyen, drejtoreshë e Covax.

Por, misioni i Covax është vështirësuar nga nxitimi i shteteve të pasura për përvetësimin e dozave në dispozicion, praktikë e denoncuar shpesh nga shefi i OBSH, Tedros Adhanom Gebrejesus. Ndërsa pret dozat e Covax-it, qeverisë pakistaneze i është premtuar edhe një dhuratë prej 500 mijë dozash nga kinezja Sinofarm, një pikë në ujë për shtetin me 200 milionë banorë.