Protesta ruse - ajo për të cilën Putini ishte frikësuar, po ndodh në Moskë
BKT
   Bota

Protesta ruse - ajo për të cilën Putini ishte frikësuar, po ndodh në Moskë

Edhe fundjavën e kaluar, Rusia u përball me protesta të fuqishme, në të cilën u arrestuan mijëra njerëz dhe kryeqyteti praktikisht u kthye në një fortesë. Çfarë fshihet pas këtij "shpërthimi" të pakënaqësive dhe çka mund të sjell kjo? A ka kaluar çështja e Alexei Navalnyt në një situatë që mund t’ia “vë flakën” të gjithë Rusisë?

Nëse pyet ekspertët, një nga gjërat e para që ata shpjegojnë është se ka shumë ngjashmëri midis demonstruesve në të gjithë Rusinë me ata që duan të përmbysin qeverinë në Bjellorusi.

Kur dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugët e qyteteve më 23 janar për të protestuar arrestimin e udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny, shumë prej tyre kishin Bjellorusinë në mendje.

Në Sheshin Pushkin të Moskës, protestuesit mbanin flamuj bjellorusë dhe brohorisnin "Rroftë Bjellorusia", ndërsa hymni "Ndryshimet" i Viktor Tsoit, i cili u "përvetësua" nga kundërshtarët e regjimit të Aleksandar Lukashenkos, brohoriste nga radiot e makinave.

Ngjashmëritë me të cilat po frikësohet Putini

Një trend i tillë ka ndikuar edhe në internet. Një seri e videove të publikuara në TikTok dhe të shpërndara në rrjetet tjera sociale, tregojnë të rinjtë rusë me uniforma të policisë duke i zhveshur ato, pra duke protestuar kundër sjelljes brutale të policisë në demonstrata apo duke imituar të rinjtë bjellorusë që e kanë bërë këtë për muaj me radhë.

Mbështetja e ndërsjellë e opozitës ruse dhe bjelloruse u pa gjithashtu në protestat e 31 janarit.

Mediet opozitare bjelloruse, si Belsat, kanë raportuar gjerësisht për protesta në qytetet ruse.

Në Moskë, dy vajza u arrestuan sepse pozuan me një flamur që ishte përdorur nga opozita bjelloruse. Dhe këto janë vetëm disa nga shembujt.

"Sinergjia e demonstruesve në Rusi dhe Bjellorusi, e cila doli në pah në këto protesta, nuk është e re", shkruan Atlantic Council.

Kur protestuesit në Khabarovsk kundërshtuan arrestimin e guvernatorit të vendin, verën e kaluar, ata shprehën solidaritet me ata që kërkojnë të përmbysin Lukashenkon, duke brohoritur "Bjellorusi, ne jemi me ju" dhe protestuesit bjellorusë u përgjigjën "Nga Khabarovski në Minsk nuk ka vend për diktaturë".

Faktori Alexei Navalny

Mbështetësit e Alexei Navalnyt analizuan ngjarjet në Bjellorusi pas shpërthimit të protestave masive në muajin gusht 2020, duke shpresuar të marrin mësime në luftën kundër regjimit të Vladimir Putinit, udhëheqësja e opozitës në Bjellorusi, Svetlana Tikhanovskas  la të kuptohet se pas kthimit të Navalnyt në Rusi edhe ajo mund të kthehet nga Vilniusi, gjë që kishte ikur nga regjimi i Lukashenkos.

Ilja Zaslavski nga Fondacioni "Rusia e Lirë" tha se protestat në Bjellorusi frymëzuan opozitën ruse, sepse sipas tij, ato treguan se në një vend që ka fjetur për 25 vjet, një rebelim kundër këtij regjimi është i mundur.

Trazirat e njëpasnjëshme në të dy vendet kufizojnë aftësinë e Rusisë për të kontrolluar rezultatin e krizës në Bjellorusi, një vend që Kremlini e ka konsideruar prej kohësh shtet satelit. Për më tepër, fatet e Putinit dhe Lukashenkos janë të ndërlidhura.

"Duam apo jo, Putini dhe Lukashenko janë të varur nga njëri-tjetri. Ashtu si Lukashenko, Putini tani do të detyrohet të mbajë një qëndrim mbrojtës, sepse hapësira e tij për manovrim është zvogëluar ndjeshëm", thotë analisti politik Vladimir Pashtukov.

Sipas medieve ruse, Putini shpresonte që protestat masive dhe rezultatet e diskutueshme të zgjedhjeve në Bjellorusi do të shërbenin si një mjet për të forcuar kontrollin mbi vendin fqinj dhe për të zëvendësuar Lukashenkon me një figurë më të bindur ndaj tij. Sidoqoftë, duke pasur parasysh protestat masive mbi arrestimin e Navalnyt, të cilat ndodhën më 23 dhe 31 janar, një veprim i tillë do të ishte një precedent i rrezikshëm për Kremlinin. Gjëja e fundit që Putin ka nevojë tani është shembulli i një diktatori të përmbysur nga një kryengritje popullore.

Protestat në Bjellorusi dhe Rusi kanë kufizuar Lukashenkon. Më herët, presidenti bjellorus i ofronte rregullisht bashkëpunim Perëndimit për të rritur ndikimin e tij në Moskë, por tani ajo derë është e mbyllur për të.

Andrei Zaostrovtsev, një profesor i ekonomisë në Universitetin Evropian në Shën Petersburg, i tha Radios Evropa e Lirë se Lukashenko e kishte kthyer vendin në një "subjekt të pjesshëm të Federatës Ruse" për shkak të një "përqafimi të fortë" me Putinin, ndërsa për Rusinë, Lukashenko ishte bërë një "Ramzan Kadyrov i versionit perëndimor", udhëheqës problematik dhe irritues, i cili është i pamundur të largohet nga pushteti pa rrezik.

Shembulli i Ukrainës

Situata aktuale të kujton kryengritjen në Ukrainë e viteve 2013-2014, kur presidenti autoritar pro-rus Viktor Janukoviq u përmbys nga pushteti. Ai shërbeu si një frymëzim për opozitën ruse.

"Duke mbështetur Ukrainën, ne mbështesim veten", kishte thënë gjatë kryengritjes në Kiev, udhëheqësi i opozitës ruse Boris Nemtsov, i cili u vra në Moskë në muajin shkurt 2015.

Solidariteti midis opozitës ruse dhe ukrainase ishte shkatërruar pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe luftës në Ukrainën lindore, e cila forcoi Rusinë dhe margjinalizoi opozitën. Megjithatë, Pashtukov beson se mundësitë për të përsëritur me sukses skenarin e Krimesë janë "pothuajse të barabarta me zero".

Presidenti i Fondacionit "Boris Nemtsov", Vladimir Kara-Murza thotë se ka ndjenja frike dhe admirimi për njerëzit e guximshëm në Bjellorusi, të cilët vazhdojnë të protestojnë pavarësisht dhunës dhe shtypjes së paimagjinueshme.

Sipas tij, "arsyeja pse Putini ka kaq frikë nga ngjarjet në Bjellorusi është se kjo mund t'i ndodhë në të ardhmen atij".