Rusi: Gjyqi i Navalny-t, arrestohen mbi 200 protestues
BKT
   Bota

Rusi: Gjyqi i Navalny-t, arrestohen mbi 200 protestues

Policia ruse ka arrestuar më shumë se 200 mbështetës të liderit të opozitës Alexei Navalny, me rastin e gjykimit të tij në një gjykatë, në Moskë.

Gjykata duhet të vendosë nëse një dënim me kusht kundër kritikut të regjimit duhet të shndërrohet në burgim efektiv.

Nëse gjykata ndjek anën e prokurorit në çështjen nga 2014, e cila ka të bëjë me përvetësim, Alexei Navalny rrezikon një dënim me burgim shumëvjeçar, njofton Hbl, transmeton RTKLive

Navalny dhe mbështetësit e tij besojnë se aktakuza është e motivuar politikisht. Seanca dëgjimore e së martës ka të bëjë me shkelje të rregullave të dënimit me kusht, më konkretisht që kritiku i regjimit është përmbajtur nga raportimi tek mbikëqyrësi i tij gjatë kohës që u shërua në Gjermani pasi u helmua me agjentin nervor sovjetik “novitjok”.

Kur filloi gjyqi, Navalny iu drejtua gruas së tij, Julia Navalnaya, e ulur në pjesën e përparme të sallës së gjyqit.

“Julia, kam dëgjuar që vazhdimisht po prish rendin publik. Një vajzë e prapë, jam krenar për ty!” tha ai.

Julia Navalnaya u arrestua në lidhje me protestat masive në shkallë të gjerë të mbajtura gjatë fundjavës në mbështetje të Navalny, por ajo u la e lirë pas disa orësh.

Stafi i politikanit opozitar ka bërë thirrje për protesta të reja jashtë gjykatës në Moskë.

Përveç protestuesve, forca të mëdha policore janë në vend dhe kanë filluar arrestimin e njerëzve, sipas agjencive të lajmeve, në baza të paqarta. /RTKLive