Testim i efektit të miksimit të dozave të ndryshme të vaksinave anti-Covid
BKT
   Bota

Testim i efektit të miksimit të dozave të ndryshme të vaksinave anti-Covid

Britania e Madhe do të testojë efektet e miksimit të dozave të ndryshme të vaksinave anti-Covid.

Vaksinat e miratuara deri më tani kërkojnë së paku dy doza në harkun e dy javëve. Pjesëmarrësit në testin e njoftuar do të marrin një dozë vaksine AstraZeneca dhe një tjetër Pfizer, ose e kundërta.

Udhëzimet në  Mbretërinë e Bashkuar për programin e vaksinimit thonë se vaksinat nuk janë të zëvendësueshme. Mirëpo ato mund të këmbehen nëse doza tjetër nuk është e disponueshme.

Autoritetet britanike presin që studimi në fjalë të japë të dhëna të tjera të volitshme për një menaxhim më të mirë të programit të vaksinimit në një kohë kur disa kompani kanë shfaqur vështirësi në respektimin e afateve të kontratave për prodhimin.

Britania dhe Bashkimi Evropian u prekën nga një rënie e prodhimit nga impiantet e kompanive farmaceutike që prodhojnë vaksinat e miratuara deri më sot.

Vaksinat në thelb kanë të njëjtin synim, forcimin e imunitetit. Shumica përdorin proteinën e majave që veshin qelizën e virusit, njofton euronews.albania.

Vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer përdorin teknologji të ndryshme. AstraZeneca përdor virusin e zakonshëm që shkakton ftohjen për të mbartur gjenet e majave të virusit të ri corona. Pfizer përdor një injektim direkt në trup të një pjese kodi gjenetik me acid ribonukleik (ARN), i cili përmban udhëzimet për zhvillimin e proteinës së virusit të ri corona.

Testi i njoftuar nga autoritetet britanike pritet të zgjasë 13 muaj dhe do të testojë intervalet e ndryshme mes dozave – 4 deri në 12 javë – dhe miksimin e llojeve të dozave.

Një studim i publikuar së fundmi për efektet e vaksinës ruse Sputnik V tregoi se ajo kishte efektshmëri prej rreth 91% dhe shumë ekspertë ia faturojnë rezultatin përdorimit të dy dozave të ndryshme.