Qeveria e Haitit pretendon se ndaloi një përpjekje për grusht shteti
Midis 23 të arrestuarve janë një gjyqtar i lartë dhe një zyrtar i policisë kombëtare për "komplot kundër shtetit".
Autoritetet e Haitit njoftuan të dielën se më shumë se 20 persona janë arrestuar për përpjekjen për të vrarë presidentin dhe përmbysur qeverinë e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kemi arrestuar 23 persona për komplot kundër shtetit", tha ministri i Drejtësisë, Rockefeller Vincent. Midis të arrestuarve janë një gjyqtar i lartë dhe një zyrtar i policisë kombëtare.
Paralajmërimi erdhi ndërsa vazhdojnë mosmarrëveshjet rreth mandatit të presidentit Jovenel Moise. Krerët e opozitës kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij, duke thënë se mandati i tij ka mbaruar.
"Administrata ime mori nga populli haitian një mandat kushtetues prej 60 muajsh. Ne kemi kaluar 48 prej tyre. 12 muajt e ardhshëm do t'i kushtohen reformimit të sektorit të energjisë, kryerjes së referendumit dhe organizimit të zgjedhjeve", u shpreh presidenti i Haitit në një postim në Twitter.
Mandati presidencial në vendin e Karaibeve zgjat pesë vjet. Moise u zgjodh në një balotazh në vitin 2016, por nuk mundi të betohej deri në vitin 2017 për shkak të një krize elektorale.
Moise udhëheq vendin me dekret për më shumë se një vit pasi administrata e tij nuk arriti të miratojë një ligj zgjedhor vitin e kaluar, i cili ishte i nevojshëm për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.























