Kosova ende pa statistika të sakta për personat që vuajnë nga epilepsia
Ariana Kasapolli
Gjatë vitit 2020 janë trajtuar 400 pacientë me epilepsi, ku 73 prej tyre, kanë qenë të hospitalizuar. Dhe, vetëm një prej tyre është infektuar me COVID-19. Nexhmedin Shala, neurolog, ka thënë për Radio Kosovën se sëmundja e epilepsisë është e trajtueshme dhe mbahet nën kontroll, por stigma në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë.
Në Kosovë thuhet se janë rreth 12 mijë njerëz që vuajnë nga sëmundja e epilepsisë, ndonëse nuk ka statistika të sakta. Nexhmedin Shala, neurolog, i tha Radio Kosovës se ajo që duhet cekur është se pandemia me COVID-19, e ka vështirësuar punën e trajtimit te pacientët me epilepsi. Megjithëkëtë ai shton se shoqata kundër epilepsisë në Kosovë, e ka bërë të pamundurën që të ofrojnë gjithë spektrin e mbështetjes profesionale, që këta pacientë mos ta ndjejnë mungesën e trajtimit.
’Në klinikën e neurologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2020 janë trajtuar në mënyrë jashtë spitalore 400 pacientë dhe 73 kanë qenë të hospitalizuar. Ndërkaq vetëm një pacient me epilepsi ka qenë i prekur edhe me COVID’’, tha ai.
Sëmundja e epilepsisë është e trajtueshme dhe mbahet nën kontroll, por stigma në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë, thonë profesionistë shëndetësorë. Ajo që mbetet shqetësuese prej vitesh, sipas stafit mjekësor përgjegjës në Klinikën e Neurologjisë, është mungesa e trajtimit kirurgjikal, që ka munguar gjithmonë në Klinikën Neurologjike në QKUK.
Por z. Shala ka thënë se gjatë vitit 2020 është kthyer vëmendja në këtë pikë.
‘’Ajo që thjesht ka filluar së implementuari është se neurokirurgët kanë kthyer vëmendjen te trajtimi kirurgjikal i pacientëve me epilepsi, ndonëse prapë duhet cekur se pandemia me COVID e ka vështirësuar situatën’’, tha Shala.
Ndryshe, sipas profesionistëve shëndetësorë sëmundja e epilepsisë tashmë ka prekur 65 milionë njerëz në tërë botën, derisa vetëm në Evropë janë rreth 6 milionë njerëz të prekur me epilepsi. Çdo vit, të hënën e dytë të shkurtit, shënohet Dita Botërore e Epilepsisë, ditë kjo kur njerëzit bashkohen për të nxjerrë në pah problemet që hasin personat me epilepsi, familjet dhe kujdestarët e tyre. Edhe Kosova ka shënuar këtë ditë me aktivitete të ndryshme, duke shpërndarë edhe fletushka informuese për këtë sëmundje.























