Siemens dhe Air Liquide do të bashkëpunojnë në prodhimin e hidrogjenit
BKT
   Bota

Siemens dhe Air Liquide do të bashkëpunojnë në prodhimin e hidrogjenit

Kompanitë do të përqendrohen në krijimin e projekteve industriale në shkallë të mëdha të hidrogjenit në Gjermani dhe Francë.

Siemens Energy dhe Air Liquide kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për të kombinuar eksperiencën e tyre në fushën e teknologjisë së elektrolizës PEM (Proton Exchange Membrane), bëri të ditur Siemens Energy në një deklaratë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kompanitë synojnë të përqendrohen në bashkë-krijimin e projekteve të mëdha industriale të hidrogjenit dhe prodhimin masiv të elektrolizuesve në Evropë, veçanërisht në Gjermani dhe Francë.

Gjithashtu ranë dakord të punojnë në aktivitetet kërkimore dhe zhvillimore për të zhvilluar së bashku teknologjitë e elektrolizuesëve të gjeneratës së ardhshme.

Elektroliza është një mundësi premtuese për prodhimin e hidrogjenit nga burimet e rinovueshme.

"Elektroliza është procesi i përdorimit të energjisë elektrike për të ndarë ujin në hidrogjen dhe oksigjen. Ky reagim zhvillohet në një njësi të quajtur elektrolizues", sipas zyrës amerikane të Efikasitetit të Energjisë dhe Energjisë së Rinovueshme.

"Hidrogjeni do të luajë rol thelbësor për të arritur objektivat e Bashkimit Evropian për reduktimin e emetimit të dioksidit të karbonit dhe gazit serrë", thuhet në deklaratë, duke shtuar se është thelbësore që të përshpejtohet prodhimi i hidrogjenit të gjeneruar në mënyrë të qëndrueshme përmes elektrolizuesve në shkallë të gjerë PEM për të përmbushur kërkesën në rritje të shpejtë dhe me kosto më të ulëta.

Projekti Air Liquide-H2V Normandy në Francë me një kapacitet prej 200 MW është një nga projektet më ambicioze në Evropë për prodhimin e hidrogjenit nga energjia e rinovueshme.

Në një deklaratë, ministri Federal i Ekonomisë i Gjermanisë, Peter Altmaier, tha se hidrogjeni është një element kryesor për suksesin e tranzicionit energjetik të vendit dhe thelbësor për përpjekjet evropiane dhe globale për të luftuar ndryshimet klimatike.

Bruno Le Maire, ministri francez i Ekonomisë, Financave dhe Rimëkëmbjes, tha se tani është koha për investime masive për zhvillimin e zinxhirëve të rinj vlerash dhe teknologjive të reja.

"Tani është koha për të vepruar. Do të investohen 7 miliardë euro në hidrogjen nga tani deri në 2030 për ta bërë ekonominë tonë më konkurruese dhe më të dekarbonizuar", shtoi ai.