Trumpi në telashe, Georgia nis hetime për telefonatën rreth zgjedhjeve
Sekretari i Shtetit në Georgia të ShBA-së, Brad Raffensperger, të hënën filloi hetime rreth përpjekjes së ish-presidentit Trump për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Këto hetime mund të çojnë në procedura tjera ligjore nga autoritetet lokale dhe qendrore.
Sekretari Raffensperger është përballur me thirrje për të nisur hetime kundër ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë pasi Trumpi u incizua më 2 janar në një thirrje telefonike duke i bërë trysni sekretarit që ta përmbyste rezultatin shtetëror të zgjedhjeve duke u mbështetur në pretendime të pabazuara për manipulime.
“Zyra e Sekretarit të Shtetit i heton ankesat që i merr. Hetimi është administrativ dhe për gjetjen e fakteve. Çfarëdo përpjekje tjetër e mëtutjeshme ligjore do t’i lihet prokurorit të përgjithshëm”, tha Walter Jones, zëdhënës i sekretarit të Shtetit në Georgia.
Ekspertët ligjorë thonë se telefonata e Trumpit mund të ketë shkelur së paku tri ligje për zgjedhje: ligjin kundër konspiracionit për të kryer mashtrim në zgjedhje, ligjin kundër lehtësimit kriminal për kryerjen e mashtrimit në zgjedhje dhe ligjit kundër ndërhyrjes së qëllimshme në kryerjen e detyrave në zgjedhje. Këto shkelje mund të sjellin dënim me gjobë ose burgim.
Në telefonatë, Trumpi i kishte bërë thirrje Raffenspergerit, i cili gjithashtu është nga Partia Republikane, që të gjejë vota të mjaftueshme për ta zhbërë humbjen në Georgia. Në transkriptimin e telefonatës, Trumpi citohet të ketë thënë: “Gjithçka që dua të bëj është kjo: unë vetëm dua t’i gjej 11.780 vota”, që ishte shifra e nevojshme e votave për fitoren e Trumpit ndaj Bidenit në Georgia, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Trumpi tani përballet me disa beteja ligjore, përfshirë hetimin e prokurorit rajonal në Manhattan, Cyrus Vance, rreth marrëveshjeve tregtare dhe disa padi civile. Trumpi ka thënë se hetimet për bizneset e tij familjare janë të motivuara politikisht.























